Përurohen zyrat shtesë të BQK-së
Sharr Travel

Përurohen zyrat shtesë të BQK-së

Sot është bërë inaugurimi i zyrave të reja të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), falë mbështetjes së Komunës së Prishtinës për dhënien e tyre në shfrytëzim për një periudhë afatgjate.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ka thënë se BQK-ja po e shfrytëzon nga sot këtë objekt të komunës, i cili do të plotësojë nevojat e stafit. Ai tha se ka qenë të nevojshme këto zyra, pasi në vazhdimësi sektori financiar është në rritje.

“Sot jam i nderuar që bëjmë përurimin e zyrave shtesë të Bankës Qendrore, edhe pse pak me vonesë, por megjithatë nga sot këto zyra janë zyrtarisht funksionale dhe që mundësojnë që stafi i BQK-së të ketë kushte më të mira të punës. Krejt kjo falë mirëkuptimit e bashkëpunimit dhe përkrahjes të kryetarit të Komunës së Prishtinës, falënderoj edhe Kuvendin komunal që e ka përkrahur iniciativën e kryetarit të Prishtinës. Në vazhdimësi sektori financiar është në rritje, prandaj edhe kjo detyrimisht na imponon nevojën që të rriten edhe kapacitet e bankës qendrore”, tha Mehmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti edhe pse nuk tregoi për shumën e qirasë që do të paguajë BQK-ja, ai tha se ky objekt do të jetë në shërbim në një periudhë afatgjatë. Ai tha se investimet e BQK-së në këtë objekt janë mbi gjysmë milion euro.

“Ka qenë diskutim gati trevjeçar me kërkesën që së pari të ndërtohet edhe një kat shtesë në BQK, ku kemi formuar edhe një komision me Fakultetin e Arkitekturës dhe me ekspertë, të cilët kanë rekomanduar që mos të bëhet edhe një kat për shkak se do t’ia ndryshonte pamjen një objekti që janë paraqitur më së shumti nëpër fotografitë e Prishtinës. Por në kemi bërë një zgjidhje tjetër e që është ky objekt që është pronë e Komunës e Prishtinës, ku ka qenë e vendosur për vite të tëra Drejtoria e Infrastrukturës. Dhe kemi vendosur që një objekt, i cili ka qenë me shumë probleme dhe jo shumë i shfrytëzueshëm, kemi vendosur që këtë t’ia ofrojmë Bankës Qendrore, ku edhe ia kanë rritë vlerën objektit të Komunës së Prishtinës, sepse investimi këtu është mbi gjysmë milion euro”, theksoi Ahmeti.

Pas pandemisë rreth 60 zyrtarë të BQK-së do të vendosen në zyrat e reja që gjenden ndërmjet objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor të “Hotel Grandit”.