SHBA krijoi 4.8 milionë vende pune në qershor
Sharr Travel

SHBA krijoi 4.8 milionë vende pune në qershor

Ekonomia amerikane krijoi vende pune me një ritëm rekord në muajin qershor.

Të dhënat e Departamentit të Punës tregojnë për hapjen e 4.8 milionë vendeve të reja të punës, muajin e kaluar.

Shifra është më e madhja në një muaj prejse ky departament i ka nisur regjistrimet në vitin 1939.

Derisa në maj, tregut të punës në SHBA i janë shtuar 2.5 milionë vende të reja, parashikimet e ekonomistëve kanë qenë për 3 milionë të tilla në qershor.

Por, rezultatet thuhet se i ka ndihmuar rihapja e fabrikave dhe restoranteve, të cilat janë mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus në SHBA, javëve të fundit, ka shkaktuar frikë për rritjen e vazhdueshme ekonomike.

Departamenti amerikan i Punës, në një raport tjetër, tha po ashtu se humbjet e vendeve të punës kanë vazhduar, pasi 1.43 milion njerëz janë paraqitur si të papunë javën e kaluar.

Rritja e vazhdueshme ekonomike do të varet nga "suksesi ynë në frenimin e virusit", ka thënë ditë më parë kreu i Rezervave Federale në SHBA, Jerome Powell.

SHBA-ja ka numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave me koronavirus: mbi 2.6 milionë, përkatësisht mbi 128,000./REL