BQK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë
Sharr Travel

BQK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se pandemia Covid-19 ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë të ekonomisë.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se një ndër sektorët që është goditur shumë nga Covid-19 është sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kafiterive. Mehmeti ka thënë se BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë e Kosovës duke përdorur fleksibilitetin rregullativ për të mundësuar shtyrjen e pagesave të kredive pa kërkuar klasifikim të kredive. Ai ka thënë se sektori bankar i Kosovës ka qenë dhe është në gjendje shumë të mirë për përballuar këtë sfidë dhe për të përkrahur edhe më shumë ekonominë e Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, në çfarë gjendje e solli pandemia Covid-19 ekonominë e Kosovës. Mund të na flisni për sektorët më të atakuar?

Mehmeti: Pandemia Covid-19 ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë të ekonomisë, duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive, gjë që rrezikon aftësinë e tyre paguese dhe mund t’i shtyjë ato edhe drejt dështimit. Një ndër sektorët që është goditur shumë nga pandemia Covid-19 është sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kafiterive (HORECA), i cili pritet që ta ketë më të vështirë rimëkëmbjen në muajt në vijim. Vështirësitë në këtë sektor do të ndikojnë dukshëm edhe në rënien e kërkesës agregate. Gjithashtu, janë prekur edhe remitencat, të cilat gjatë periudhës janar-prill 2020 në Kosovë kanë arritur vlerën e 247.61 milionë euro. Kjo shifër paraqet 5.8 milionë euro më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Gjithashtu, me gjithë kthimin pozitiv të investimeve të bëra nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, deri më 29 maj 2020 humbjet arritën në 28 milionë euro. Sektori i sigurimeve gjithashtu ka qenë i ndikuar nga pandemia Covid-19, meqë gjatë pandemisë kishte rënie të shitjes se policave të sigurimit. Në 4 muajt e parë të vitit 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 numri i policave të sigurimit kishte rënie për afro 28 mijë, nga 131 mijë në 103 mijë apo 21.5 për qind më pak.

 “Epoka e re”: Sa pritet të jetë rënia ekonomike si pasojë e Covid-19, keni bërë ndonjë analizë?

Mehmeti: Rritja e rreziqeve nga ekonomia e jashtme dhe rënia potenciale në të hyrat nga jashtë, si dhe ndikimi i masave të ndërmarra të mbylljes dhe karantinimit nga marsi i vitit 2020 për të parandaluar përhapjen e shpejtë potenciale të epidemisë në vend, sipas BQK-së do të rezultojnë në tkurrje të aktivitetit ekonomik veçanërisht në muajt prill dhe maj. Për vitin 2020, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rënies së BPV-së pritet të jetë rreth 5.9 për  qind.

 “Epoka e re”: Kërkesat më të mëdha nga klientët mbesin për shtyre të kistiti të kredive, a do të këtë ndonjë shtyrje të sërishme?

Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është treguar proaktive në ndërmarrjen e masave për t’u ndihmuar huamarrësve përballimin e vështirësive financiare, të cilat i ka shkaktuar kriza pandemike, duke u mundësuar atyre shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë dhe ruajtjes së likuiditetit të tyre përgjatë periudhës së ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike. Nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Duke pas parasysh situatën e krijuar për shkak të pandemisë, BQK-ja ka përgatitur një udhëzues për institucionet kredidhënëse lidhur me ristrukturimine kredive për shkak të Covid-19 me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në mënyrë që kredimarrësit që kanë vështirësi financiare të mund të përmbushin detyrimet e tyre të parapara me kontratë dhe t’i kthehen normalitetit të aktivitetit të tyre biznesor. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së.

 “Epoka e re”: Po ashtu, ka pasur ankesa të shumta ndaj bankave komerciale për mospërfillje të rregullores së BQK-së, gjegjësisht standarde të dyfishta në shtyrje të kësteve, a keni marrë ndonjë maskë ndaj bankave komerciale?

Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka informuar bankat lidhur me vendimin e përbashkët të BQK-së dhe SHBK-së. Zbatimi i këtij vendimi të përbashkët do të jetë subjekt i ekzaminimit të BQK-së pas kalimit të situatës në të cilën ndodhemi dhe varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve, do të ndërmarr masat administrative/ndëshkuese, të parapara me legjislacionin në fuqi.

 “Epoka e re”: Sa është numri i ankesave në BQK, ndaj bankave komerciale?

Mehmeti: Nga data 1 janar 2020 deri më 23 qershor 2020, BQK-ja ka pranuar 610 ankesa, prej të cilave 522 janë vetëm gjatë periudhës 12 mars 2020 deri më 23 qershor 2020.

 “Epoka e re”: Ku ka mbetur çështja e rregullimit me Institucionet Financiare Jobankare, e kam fjalën sa i përket veprimit të tyre si OJQ?

Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës merret me regjistrimin/licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të ndërmjetësimit financiar që bëjnë këto institucione mikrofinanciare, ndërsa çështjet e lidhura me aktivitetin dhe statusin e tyre si OJQ nuk bëjnë pjesë në fushëveprimin e BQK-së pasi që BQK-ja i mbikëqyrë dhe i rregullon aktivitetet e tyre financiare e jo statusin ligjor të tyre.

 “Epoka e re”: Çfarë risish pritet ta karakterizojnë sektorin financiar pas pandemisë, a do të kemi rënie të normave të interesit dhe a ka kërkesa për operim të ndonjë banke tjetër në Kosovë?

Mehmeti: Sektori bankar ka një rol shumë të rëndësishëm në minimizimin e pasojave negative makroekonomike të shkaktuara nga pandemia e paprecedentë që tashmë ka përfshirë pothuajse të gjitha vendet. Sektori bankar duhet të mbështes huamarrësit e dëmtuar duke vazhduar kreditimin e ekonomisë dhe në të njëjtën kohë duhet të ruaj stabilitetin financiar. Siç edhe e kam thënë edhe me herët sektori bankar i Kosovës ka qenë dhe është në gjendje shumë të mirë për përballuar këtë sfidë dhe për të përkrahur edhe më shumë ekonominë e Kosovës. BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë e Kosovës duke përdorur fleksibilitetin rregullativ për të mundësuar shtyrjen e pagesave të kredive pa kërkuar klasifikim të kredive. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbejnë pjesën më të madhe të bizneseve në Kosovë. Në të gjitha ekonomitë ato luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik duke përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e eksportit. Lehtësimi i qasjes në financim nga institucionet kredidhënëse për këtë kategori të ndërmarrjeve është shumë i rëndësishëm pasi që financimi nga burimet tjera është i kufizuar. Suksesi i këtyre ndërmarrjeve dhe në të njëjtën kohë suksesi i ekonomisë së Kosovës varet nga qasja e tyre në financa dhe mbështetja financiare nga qeveria. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është një nga akterët kyç në lehtësimin e qasjes në financa. Rritja e mbulueshmërisë së kredive të reja përmes këtij fondi do të stimuloj rritjen e kredive qoftë përmes rritjes së kërkesës pasi që lehtëson qasjen në financa qoftë përmes rritjes së ofertës pasi që bankat do të jenë më pak të ekspozuara ndaj rrezikut kreditor. Ne të njëjtën kohë me qëllim të stimulimit të rritjes së kreditimit BQK-ja do të lehtësoj kërkesat për mjaftueshmëri të kapitalit duke peshuar me rrezik më të ulët  të gjitha kreditë ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky zvogëlim në peshën e rrezikut të këtyre kredive do të jetë në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe nuk do të rrezikoj stabilitetin financiar. Gjithashtu kreditë e siguruara me patundshmëri komerciale do të merren parasysh për t’u peshuar me rrezik më të ulët. Këto lehtësime do të ju mundësojnë bankave që të rrisin kreditimin në këto dy kategori të kredive. Sa i përket zvogëlimit të kërkesave për likuiditet, aktualisht bankat kanë nivele të larta të likuiditetit dhe nuk kanë pengesë në këtë drejtim për të kredituar ekonominë. Në rast se në të ardhmen bankat do të kenë kufizime apo vështirësi në likuiditet, BQK-ja do të përdor përkohësisht fleksibilitetin rregullativ duke zvogëluar rezervën minimale dhe kërkesat tjera për nivele të likuiditetit. BQK-ja ka qenë vazhdimisht në kontakt me të gjitha bankat për të diskutuar sfidat aktuale dhe ato në të ardhmen. Bankat në Kosovë kanë mundësi dhe janë të gatshme që të ndihmojnë në realizimin e masës një dhe tetë të planit për rimëkëmbje ekonomike.

 


MË SHUME NGA Ekonomi