Krasniqi: Në Zonën Ekonomike në Lipjan, do të investohen 2.3 milionë €
Sharr Travel

Krasniqi: Në Zonën Ekonomike në Lipjan, do të investohen 2.3 milionë €

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka inspektuar punimet në zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit.

Ministri u njoftua me punët që po kryhen aty, teksa mori zotimin se në fund të këtij viti, do të jetë e gatshëm kjo Zonë për shumë biznese.

Krasniqi tha se Zona të tilla janë shumë të rëndësishme për vendin tonë, me sipërfaqe prej 56 hektarësh ku i gjithë projekti do të kushtojë 2.3 milionë euro.

“Ne sot jemi këtu ne Zonën Ekonomike këtu në Lipjan për të parë nga afër punimet e kësaj zone se deri ku kanë shkuar këto punime dhe sa jemi brenda planit dinamik. Duke pasur parasysh situatën pandemike që kemi qenë në pauzë, megjithatë operatori ekonomik u zotua që do t’i kryejë punimet planit dinamik që deri në fund të këtij viti do të kryhen të gjitha punët”, transmeton E.O.

“Nga ajo që pamë sot jemi të kënaqur me punimet dhe duhet të them se është një Zonë shumë e rëndësishme për vendin tonë, e cila i ka munguar vendit tonë. Faza e parë përfshinë 10 hektarë në vlerë prej 560 mijë euro, ndërsa jemi në bashkëfinancim me Komunën e Lipjanit, e cila do të participojë me 50 mijë euro”.

“Komplet zona në finalizimin e saj do të ndahet në faza ku komplet është 56 hektarë që gjithsej vlerën e ka në 2.3 milionë euro”, tha ai, teksa shtoi që deri në fund të këtij viti të finalizohet një pjesë, në mënyrë që t’i ftojnë bizneset për te aplikuar.

Drejtori i Financave në Komunën e Lipjanit, Latif Ramadani tha se komuna çdo herë do të jetë në shërbim të bizneseve, por që kërkoi nga ministritë përkatëse të vazhdojnë me investimet.

“U zotuam së bashku me ministrin që të bashkëpunojmë në rregullimin e infrastrukturës, qoftë nëntokësorë ose mbitokësorë për krijimin e kushteve sa më të mira për bizneset të cilat do t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre këtu”.

“Komuna e Lipjanit do të jetë në shërbim të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi, duke fituar projekte me ministritë përkatëse që bizneset të kenë një mundësi që t’i zhvillojnë bizneset e tyre, duke krijuar edhe vende të reja të punës”, tha ai.

E pronari i kompanisë së kontraktuar për këtë projekt, Agim Morina, tha se punimet do të përfundojnë sipas planit.


MË SHUME NGA Ekonomi