Plani hapësinor për Parkun Kombëtar së shpejti procedohet në Qeveri
Sharr Travel

Plani hapësinor për Parkun Kombëtar së shpejti procedohet në Qeveri

Me qëllim të procedimit të mëtejmë të dokumentit Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna sot është mbajtur një takim pune me kryetarët e komunave të asaj zone me ministrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Ministri Blerim Kuqi ka thënë sot në një konferencë për media se shumë shpejt do të procedohet në qeveri dhe pastaj në kuvend plani hapësinor për këtë zonë me interes të veçantë.

Ministri Kuqi tha se mos funksionalizimi i këtij plani deri më sot ka shkaktuar probleme të shumta.

“Plani hapësinor Parku Kombëtar ka filluar procedimin që nga viti 2014, ndërsa deri më sot nuk është bërë finalizimi i këtij plani hapësinor. Pra, duhet të shkoj drejt qeverisë dhe Kuvendit. Ne sot e kemi bërë përpjekjen e fundit ku bashkë me kryetarët e komunave u dakorduam që ata të japin komentet e tyre përfundimtare për planin hapësinor. Pastaj, ne bashkë me një Grup punues do t’i inkorporojmë kërkesat e tyre brenda këtij plani dhe të procedojmë drejt qeverisë dhe kuvendit”, tha Kuqi.

Ai tha se për këtë plan hapësinor qytetarët që jetojnë në atë zonë, komuna e Pejës, Gjakovës, Istogut, Deçanit dhe Junikut, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe qytetarët në përgjithësi në Kosovë do t’iu mundësohet t’i realizojnë interesat e veta konform planit hapësinor Bjeshkët e Nemuna.

“Jemi dakorduar që kryetarët e komunave në atë zonë të japin komentet e tyre për këtë plan hapësinor, pastaj ta procedojmë në qeveri dhe Kuvend. Qytetarëve dhe komunave në atë zonë, do tu mundësohet t’i realizojnë interesat e tyre konform planit hapësinor Bjeshkët e Nemuna”, tha ai.

Ministri Kuqi tha se kërkesat e kryetarëve kanë qenë që sa më shpejt të bëhet ky plan hapësinor që është në interes të komunave dhe komunitetit që jetojnë aty.