Rrëmuja e re botërore, mungon udhëheqja globale
Sharr Travel

Rrëmuja e re botërore, mungon udhëheqja globale

75 vjet më parë, udhëheqësit e botës projektuan paqen, edhe teksa ishin në luftë. Udhëheqësit e sotëm duhet të bëjnë diçka të ngjashme, thotë Daniel Franklin.

Disa javë pas sulmit të Japonisë në Pearl Harbour, Uinston Çërçill u ftua si mysafir në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Franklin Ruzvelt po priste me padurim t’i tregonte se kishte gjetur emrin që duhej t’i vinin një organizate të re botërore të sigurisë. Thuhet se ai nxitoi për në dhomën e gjumit të Çërçillit, ku e gjeti kryeministrin lakuriq, vetëm me peshqir.

Ajo që bie në sy për origjinën e “Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, siç vendosi ta quante Ruzvelti, nuk është mënyra e pazakontë e komunikimit (një president amerikan modern mund ta kishte shfaqur idenë e tij në Twitter), por që edhe në mes të luftës, shtetarët po planifikonin për paqen, shkruan The Economist.

Në frontin ekonomik, kjo çoi në krijimin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vitin 1944, në konferencën Bretton Woods në New Hampshire. Në anën e sigurisë, u paraqitën planet për OKB-në në konferencën Dumbarton Oaks, në Uashington, më pas, në Jaltë të Krimesë, Çërçilli, Ruzvelti dhe Stalini, ranë dakord në parim dhe planet u finalizuan në një konferencë në San Francisko, pas vdekjes së Ruzveltit.

“Oh, çfarë dite e bukur mund të jetë kjo në histori”, tha presidenti Harri Truman në seancën e mbylljes më 26 qershor 1945, kur u nënshkrua statuti themeltar. Vendet kishin lënë mënjanë dallimet e tyre për “formimin e një bashkimi të patundur e të vendosur – për të gjetur një mënyrë për t’u dhënë fund luftërave”.

Shumë shpejt, euforia u hapi rrugë tensioneve, me fillimin e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, siç vërejti sekretari i dytë i përgjithshëm i organizatës së re, Dag Hammarskjold, OKB-ja “nuk u krijua për të çuar njerëzimin në parajsë, por për të shpëtuar njerëzimin nga ferri”. Për 75 vjet, nuk ka pasur Luftëra Botërore (megjithëse ka pasur mjaft luftëra më të vogla). Ndryshe nga paraardhësja e saj, Lidhja e Kombeve, OKB-ja ka rezultuar e qëndrueshme. Anëtarësia e saj është rritur nga 51 vende në 193, falë dekolonizimit dhe shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Organizata qëndron në zemër të një rendi botëror të mbështetur në rregulla, dhe aktivitetet e saj dhe ato të agjencive të specializuara, përfshijnë pothuajse çdo aspekt të jetës.

Megjithatë, asnjë rend ndërkombëtar nuk zgjat përgjithmonë. Me kalimin e kohës, baraspesha e pushteteve ndryshon, sistemet nuk arrijnë të përshtaten dhe nis rënia. Paqja pas Kongresit të Vjenës në vitin 1815, u shkatërrua ngadalë; ndërsa ajo pas Traktatit të Versajës në vitin 1919, u shkërmoq shpejt. Një ndryshim nga një fuqi dominuese në tjetrën zakonisht ka nënkuptuar luftë (zhvendosja e fuqisë nga Britania në Amerikë mbi një shekull më parë, ishte një përjashtim i rrallë).

 

Sfida e re e Covid-19

Covid-19 është një sfidë e re. Ekziston një vakum ku bota normalisht do të kërkonte udhëheqjen amerikane. Por ajo sheh teksa presidenti Donald Trump e bën veten të duket qesharak, duke sugjeruar kura të çmendura për virusin. Zoti Trump ka qenë më i interesuar të fajësojë Kinën për pandeminë, sesa të organizojë një përgjigje ndërkombëtare. Lëvizja e tij më e fundit ka qenë pezullimi i fondeve amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke kërcënuar se Amerika do të largohet prej saj. Në mars, ministrat e Jashtëm të G7 nuk mundën as të jepnin një deklaratë, sepse sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, këmbëngulte që G7 t’i referohej virusit si “virusi i Wuhan-it”.

Kina fillimisht tentoi ta fshihte menjëherë shkallën e vërtetë të virusit, por pas karantinës së ashpër, ajo e mori nën kontroll Covid-19 dhe është mburrur për sukseset e saj në të gjithë botën, duke i furnizuar njëkohësisht vendet me pajisje mbrojtëse. Ndërkohë, europianët kanë mbyllur kufijtë, përfshirë në zonën e Shengenit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke qenë i ndarë dhe i pasigurt, nuk ka ndërmarrë veprime.

Rendi botëror ishte me probleme edhe para pandemisë. Kriza globale financiare e viteve 2007-2009 nxiti populizmin dhe një lloj distancimi të institucioneve ndërkombëtare. Këto shpesh pasqyrojnë realitetet e dekadave të mëparshme, jo të sotmet (pesë anëtarët e përhershëm të mbajtjes së vetos janë fuqitë fitimtare të 1945), e prapëseprapë vendet bëjnë rezistencë ndaj reformave. Rregullat kanë mbetur, por Fuqitë e Mëdha ndihen gjithnjë e më të lira për t’i shpërfillur ato. Rusia ka rrëmbyer pa kokëçarje një pjesë të Ukrainës. Kina ka pushtuar territore të diskutueshme në Detin e Kinës së Jugut.

Amerika është ankuar gjatë për koston e mbështetjes së sistemit shumëpalësh dhe grindet për “Guliverizimin”, se i janë lidhur duart dhe këmbët nga fuqitë më të vogla. Së bashku me Britaninë, ajo pushtoi Irakun në vitin 2003, pa një mandat nga Këshilli i Sigurimit. Presidenti Barak Obama, me synimin për t’i dhënë përparësi “ndërtimit të kombit në shtëpi”, nisi një gjysmë-tërheqje nga barra e udhëheqjes globale. Por arkitekti kryesor i sistemit, tani ka një president i cili duket se kënaqet kur e rrënon fare lidershipin amerikan në botë.

Zoti Trump është tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimin e klimës dhe nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Ai ka hedhur dyshime ndaj angazhimit të Amerikës në NATO (megjithëse i ka rritur forcat e tij në shumë pjesë të Europës). Ka vazhduar të zhvlerësojë Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) duke bllokuar emërimin e gjyqtarëve të rinj në organin e saj të apelit.

E ka quajtur Bashkimin Europian një “armik”. Ndërkohë, dashuria e tij për sanksione ka shkaktuar fërkime të mëtejshme, duke nxitur ankesa se Amerika po abuzon me “privilegjin e tepruar” duke pasur monedhën rezervë të botës dhe duke stimuluar interesin (midis aleatëve dhe rivalëve gjithashtu) për të ulur dominimin e dollarit.

Në OKB, aleatët e Amerikës ankohen se zoti Trump “zgjedh vetëm ato që dëshiron”. Ajo që është e re nuk është tërheqja nga një agjenci apo dy (zoti Trump ka tërhequr Amerikën nga agjencia arsimore dhe kulturore me seli në Paris, UNESCO, dhe nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me seli në Gjenevë, duke u ankuar për paragjykime anti-izraelite), por mungesa e angazhimit për sistemin. Retorika e tij, America First, i bën jehonë gjuhës së Henry Cabot Lodge, një senatori izolacionist, i cili luftoi me sukses kundër anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve në vitet 1920.

Është një kontrast i ashpër me internacionalizmin e Ruzveltit dhe Trumanit. “E ardhmja nuk u përket globalistëve”, deklaroi zoti Trump para Asamblesë së Përgjithshme, në shtator të vitit të kaluar. “E ardhmja u përket patriotëve”. E gjithë kjo do të thotë se OKB-në nuk e pret aspak një ditëlindje e lumtur teksa i afrohet 75- vjetorit të saj, por një gjendje ankthi.

Sekretari i Përgjithshëm i saj, António Guterres, ish-kryeministër i Portugalisë, e ndan historinë e OKB-së në tre periudha. E para ishte “bipolare”, e karakterizuar nga rivaliteti i Luftës së Ftohtë midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Megjithëse Këshilli i Sigurimit ishte kryesisht i ngrirë, ekzistonte një lloj parashikimi në përballje, dhe OKB-ja ishte mjaft krijuese duke u zgjeruar në fusha si paqeruajtja, që as nuk përmendet në statutin e saj.

Pas rënies së komunizmit, erdhi një periudhë e shkurtër “unipolare”, kur mbizotërimi i Amerikës thuajse nuk diskutohej. Këshilli i Sigurimit ishte në gjendje të funksiononte, ashtu siç e kishin parashikuar themeluesit e tij, duke nisur një sërë misionesh paqeruajtëse, si dhe duke autorizuar çlirimin e udhëhequr nga Amerika të Kuvajtit, në vitin 1991. Xhorxh Bush përshëndeti një “rend të ri botëror”. OKB-ja zhvilloi parimin e përgjegjësisë për të “mbrojtur” popullatat kundër mizorive masive.

Por, që kur u bllokua në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, Amerika është bërë gjithnjë më e lodhur dhe e izoluar. Në botën e gjerë, është rritur armiqësia kundër prirjes së Perëndimit për të imponuar vlerat e tij. Një Rusi hakmarrëse dhe një Kinë në zhvillim, po sfidojnë gjithnjë e më tepër epërsinë e Amerikës. Këshilli i Sigurimit është mbërthyer edhe një herë, duke reflektuar rivalitetin e përtërirë të Fuqive të Mëdha. Kjo periudhë e tretë, sipas zotit Guterres, është ende e pazgjidhur. “Bota nuk është ende shumë polare, ajo është në thelb kaotike”, thotë ai.