Resortet e zbrazëta të Detit të Zi në Bullgari
Sharr Travel

Resortet e zbrazëta të Detit të Zi në Bullgari

Sunny Beach, vendpushimi më i madh në Bullgari në Detin e Zi, i famshëm për jetën e natës dhe bregdetin e mbushur me njerëz, është tashmë si një qytet fantazmë.

Pasi u mbyllën kufijtë, u pezulluan fluturimet dhe njerëzit u detyruan të qëndrojnë në shtëpi për shkak të koronavirusit, vetëm një numër i vogël pushuesish kanë ardhur për të bërë banjo dielli mes qindra çadrave të mbyllura dhe shezllonëve bosh në rripin e bregut të rezortit që shtrihet në një gjatësi prej 5 km.
“Nuk mbaj mend të kem parë asgjë të tillë”, tha Rumen Monchev, pronar i një hoteli buzë detit. “Nëse arrijmë thjesht të nxjerrim shpenzimet këtë vit, do të jemi shumë mirë”.

Monchev ka ulur çmimet, ka investuar në ekrane për të ndarë tavolinat në sallën e ngrënies dhe ka punësuar një “sherif COVID-19” për të siguruar që hoteli i tij të jetë një vend i sigurt mes pandemisë së koronavirusit.
Sidoqoftë, nga 160 hungarezët që priteshin javën e kaluar, erdhën vetëm 33.
Turizmi përbën rreth 12% të prodhimit ekonomik të Bullgarisë dhe siguron punësim për mijëra njerëz në shtetin më të varfër të Bashkimit Europian.

Për të shpëtuar diçka nga sezoni i pushimeve verore, qeveria ka ofruar subvencione për fluturime çarter dhe ka ulur tarifat e koncesionit në mënyrë që operatorët e plazhit të ofrojnë shezllone më të lira, duke i mbajtur brigjet e sigurta dhe të dezinfektuara.

Bullgaria, e cila ka një numër relativisht të ulët të rasteve të koronavirusit, ka hapur kufijtë e saj për shumicën e vendeve të Europës, që nga fillimi i qershorit. Megjithatë, krahasuar me vitin 2019, pandemia ka ulur me 35% fluturimet e planifikuara çarter në portat e Bullgarisë në Detin e Zi, në Varna dhe Burgas. Një rënie e ngjashme pritet edhe për fluturimet e rregullta, tha ministrja e Turizmit, Nikolina Angelkova. Mbi 9 milionë turistë të huaj vizituan Bullgarinë vitin e kaluar dhe Angelkova kishte planifikuar një rritje prej 10% në vitin 2020.

“Ne prisnim verën më të mirë turistike. Fatkeqësisht, kjo nuk është më në rendin e ditës”, tha ajo. “Le të shpresojmë se mund ta fillojmë sezonin nga korriku, të ndryshojmë gjendjen dhe të vazhdojmë të ecim përpara”.
Tani për tani, rreth 60-70% e hoteleve në dy zonat kryesore të Detit të Zi – Sunny Beach dhe Golden Sands – planifikojnë të hapen në ditët në vazhdim, duke i varur shpresat në rifillimin e fluturimeve çarter nga Holanda dhe Gjermania në fund të kësaj jave.

“Prej kohësh nuk i shikoj më rezervimet… Jemi të gjithë në gatishmëri”, tha Teodor Pastarmadzhiev, anëtar menaxher i Unionit të pronarëve të hoteleve në Sunny Beach. Ai shpreson se kufizimet e udhëtimit do të hiqen muajin tjetër për tregjet kryesore si Britania, Rusia dhe Ukraina dhe se pushuesit do të vijnë masivisht në gusht.