BEI siguron 30 milionë € për të përmirësuar ndikimin social
Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe UniCredit Bank Srbija AD (UCBS) kanë nënshkruar këstin e parë prej 15 milionë eurosh të një kredie inovative për financim prej 30 milionë eurosh, për të ndihmuar kompanitë serbe, të vogla dhe të mesme, për të përmirësuar ndikimin social të biznesit të tyre në fusha si barazia gjinore, punësimi i të rinjve dhe përfshirja sociale.
Kredia nga banka e BE-së po plotësohet me një grant prej 4 milionë € të siguruar nën Nismën e Qëndresës Ekonomike të BEI-së. Granti do të shpërblejë kompanitë që përmbushin synime specifike për të nxitur punësimin dhe sipërmarrjen e grave, punësimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve, si dhe përfshirjen sociale të grupeve demografike të cenueshme (p.sh. pakicat, personat me aftësi të kufizuara, refugjatët, etj.) të cilët shpesh përballen me pengesa shtesë për hyrjen në tregun e punës.
Sipas skemës, do të arrihet një marrëveshje mbi një grup qëllimesh në lidhje me ndikimin shoqëror, me kompanitë që huazojnë fondet e BEI-së përmes UCBS-së dhe do të shpërndahet një shpërblim financiar për ato që përmbushin synime të tilla, duke i inkurajuar të përfshijnë dhe mbështesin punonjësit nga grupe më të cenueshme dhe të sigurojnë trajnimin dhe punësimin e tyre afatgjatë.
Kjo është kredia e parë e sektorit privat të BEI-së nën ERI-në në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në objektivat kryesore të promovimit të rritjes së qëndrueshme dhe mbështetjes së rezistencës ekonomike. BEI gjithashtu do të sigurojë mbështetje teknike për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve, duke ndihmuar në arritjen e objektivave të synuara të ndikimit shoqëror.
Me këtë rast, Presidenti i BEI-së, Werner Hoyer, deklaroi: “Ne jemi të kënaqur të mbështesim futjen e mekanizmave inovatorë financiarë në Serbi për të mbështetur zhvillimin më të shpejtë ekonomik në vend. Kjo kredi shënon fillimin e një mënyre të re të huadhënies për NVM-të, me përfitime të gjera për zhvillimin shoqëror dhe përfshirjen e njerëzve që vijnë nga grupet më të rrezikuara në tregun e punës.
Ajo shpërblen ato ndërmarrje të vogla dhe të mesme që duan të rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe lejon edhe më shumë njerëz të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik. Ky është një kapitull i ri në mbështetjen tonë prej disa dekadash për NVM-të, rritjen ekonomike dhe sociale, dhe integrimin e Serbisë në nivel rajonal dhe në BE, dhe është një riafirmim i angazhimit tonë për të ndihmuar Serbinë të zhvillohet më shpejt”.























