Virgin Atlantic Airways" kërkesë për mbrojtje nga falimentimi

Virgin Atlantic Airways" kërkesë për mbrojtje nga falimentimi

Në kërkesën e kompanisë "Virgin Atlantic" të paraqitur në gjykatën e distriktit jugor të Nju Jorkut thuhet se kompania ka negociuar për një marrëveshje me aksionerët "për një rikapitalizim konsensual" që do të hiqte borxhet nga bilanci i saj dhe "do ta poziciononte menjëherë për një rritje të qëndrueshme afatgjatë".

Në korrik, kompania "Virgin Atlantic" tha se kishte arritur një marrëveshje shpëtimi me aksionerët dhe kreditorët, me një vlerë prej 1.57 miliardë dollarësh, për të siguruar të ardhmen e saj përtej krizës së koronavirusit.

 

Kërkesa gjyqësore në Shtetet e Bashkuara është një hap i nevojshëm pas një tjetër mase të kërkuar në gjykatat britanike, ku "Virginia Atlantic" mori miratimin të martën për të thirrur takime të kreditorëve që do të ndikohen, për të votuar planin më 25 gusht.

 

Një zëdhënëse e linjës ajrore tha se plani i ristrukturimit gjendej para një gjykate britanike "për të siguruar miratimin nga të gjithë kreditorët përkatës përpara zbatimit." Ajo shtoi se "procesi po vazhdon me mbështetjen e shumicës së kreditorëve tanë."

 

Rrjeti "Bloomberg" raportoi se kompania "Virgin Atlantic" i tha një gjykate në Londër se mund t'i mbaronin fondet në shtator nëse nuk miratohej një marrëveshje ristrukturimi.

 

Kompanitë jo amerikane e shfrytëzojnë kërkesën e mbiquajtur të Kapitullit 15 për të bllokuar kreditorët që duan të paraqesin padi ose të ngrijnë pasuritë në Shtetet e Bashkuara.

 

Në korrik, linja ajrore tha se marrëveshja e saj private me palët e interesit eliminon nevojën për mbështetje nga qeveria britanike që kishte kërkuar themeluesi, miliarderi Richard Branson. Riorganizimi pritet të përfundojë deri në fund të kësaj vere dhe do të shtrihet gjatë 18 muajve të ardhshëm.

 

Richard Branson, themeluesi i "Virgin Atlantic Airways"

 

Linja ajrore, me 51% në pronësi të "Virgin Group" të zotit Branson dhe 49% në pronësi të kompanisë ajrore amerikane "Delta", mbylli selinë e saj në Gatwick dhe shkurtoi më shumë se 3'500 vende pune për të luftuar me pasojat nga pandemia COVID-19, e cila po mban aeroplanët të ulur në tokë dhe ka goditur fort kërkesën për udhëtime ajrore. Kompania "Delta" nuk pranoi të komentojë.

 

Virgin Atlantic tha se duhej të rikapitalizohej "jo vetëm që të mbijetojë nga kërcënimet e jashtme të paraqitura nga pandemia globale COVID-19, por që të arrijë progres pasi të kalojë kriza e menjëhershme globale e shëndetit".

 


MË SHUME NGA Ekonomi