Ekonomia e Suedisë së paizoluar u prek më pak nga koronavirusi

Ekonomia e Suedisë së paizoluar u prek më pak nga koronavirusi

Suedia, që nuk vendosi masa të ashpra izolimi gjatë kulmit të pandemisë së koronavirusit, pësoi tkurrje të ekonomisë për 8.6 për qind në periudhën prill – qershor. Kjo shifër është më e ulët se tkurrja që kanë përjetuar vendet që morën masa më të ashpra.

Për të njëjtën periudhë, Bashkimi Evropian pësoi tkurrje ekononike për 11.9 për qind, shkruan BBC.

Disa shtete shënuan tkurrje edhe më të madhe ekonomike. Ekonomia e Spanjës u tkurr për 18.5 për qind, ekonomia e Francës për 13.8 për qind, ndërsa ekonomia e Italisë për 12.4 për qind.

Sidoqoftë, kjo rënie ekonomike ishte më e madhja që Suedia e ka përjetuar në katër dekadat e fundit, bëri të ditur agjencia e statistikave.

“Siç pritej, është një rënie dramatike. Por krahasuar me vendet e tjera, është goxha më mirë, për shembull nëse e krahasojmë me Evropën Jugore”, tha analisti Torbjorn Isaksson.

Suedia është bazuar kryesisht në udhëzime vullnetare për kontrollimin e përhapjes së virusit, duke këshilluar për punë nga shtëpia dhe shmangie të transportit publik.

Ndonëse bizneset në pjesë të madhe e kanë vazhduar operimin edhe gjatë kësaj periudhe, ekonomia suedeze është shumë e varur nga eksportet, të cilat janë goditur nga mungesa e kërkesës nga jashtë.


MË SHUME NGA Ekonomi