Rimëkëmbet biznesi në Britani

Rimëkëmbet biznesi në Britani

Bizneset britanike në sektorët e shërbimeve dhe manifakturës janë rritur me normën më të shpejtë në 5 vite gjatë Korrikut, ndërkohë që ka nisur rimëkëmbja nga pasojat e karantinës së Covid-19.

Indeksi PMI, që shihet si një tregues i mirë i situatës ekonomike, u rrit në 57 pikë, nga 47 që ishte në Qershor dhe në nivelin më të lartë që prej Qershorit 2015.  Treguesi për shërbimet u rrit gjithashtu në nivelin më të lartë në 5 vite.

Analistët thonë se ofruesit e shërbimeve në Britani kanë nisur të shohin dritë në fund të tunelit, pas një rënieje rekord të aktivitetit të biznesit në tremujorin e dytë 2020.   Megjithatë, pritet që Britania të kërkojë vite për të rimëkëmbur humbjen rekord në prodhim prej 25% në Mars dhe Prill.  Restorantet, kafenetë dhe baret janë rihapur më 4 Korrik, pas më shumë se 3 muajve në karantinë, që nisi të lehtësohet në mënyrë graduale në mes të Qershorit.   Shitjet me pakicë janë thuajse rikthyer në nivelet e vitit të kaluar dhe blerjet e shtëpive u rritën gjithashtu në Qershor. Megjithatë, sektorë të tjerë si zbavitja dhe artet, kanë pasur një rimëkëmbje shumë më të ngadaltë. Treguesi për punësimin ka rezultuar negativ, ç’ka tregon se punëdhënësit po vazhdojnë të reduktojnë staf.