6 mënyra për ta përmirësuar karrierën tuaj gjatë karantinës

6 mënyra për ta përmirësuar karrierën tuaj gjatë karantinës

Për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, shumë kompani gjithandej botës kanë vazhduar përsëri punën nga shtëpia. Pasiguria për të punuar në zyrë sa vjen e rritet, dhe karantina nuk është e pëlqyeshme për shumë njerëz.

Sidoqoftë, nëse e shikoni nga një këndvështrim pozitiv, karantina mund të jetë një periudhë ideale për ta zhvilluar veten profesionalisht. Në karantinë, mund të mësoni shumë gjëra dhe aftësi të reja që ta pasuroni kësisoj edhe karrierën tuaj.

Në vazhdim të këtij artikulli, do të gjeni gjashtë hapa të cilët mund t’i ndërmerrni për të përmirësuar karrierën tuaj edhe gjatë kohës sa jeni në karantinë.

Planifikoni ditën

Kur punoni nga distanca, planifikimi i ditës ndonjëherë është më i vështirë krahasuar me të punuarit në zyrë. E rëndësishme në rrethana te tilla është të koordinoheni me menaxherin dhe pjesëtarët e tjerë të ekipit. Dërgoni tek menaxheri çdo ditë raportin mbi punët që keni kryer dhe arritjet nëpër projekte. Përpos shkëmbimit të emails, diskutoni rreth detyrave të punës edhe nëpërmjet takimeve me video apo telefon.

Vendosni qëllime apo indikatorë të performancës

Të paktën një herë në muaj, rishqyrtoni metodat apo mënyrat se si i keni arritur qëllimet e juaja deri në atë moment, si mund të arrini më shumë, dhe si të merrni përgjegjësi të reja. Shkruani detajisht hapat të cilët mendoni që duhet t’i ndiqni për të arritur secilin qëllim që i keni vënë vetes.

Shkëmbeni emails me njerëz nga rrjeti juaj

Nëse i kontaktoni të tjerët vetëm kur keni nevojë për diçka prej tyre, atëherë marrëdhëniet mund të fillojnë të dëmtohen sepse pala tjetër mund të ndjehet e shfrytëzuar. Një gjë e tillë ndikon negativisht në karrierën tuaj. Prandaj, mundohuni të krijoni marrëdhënie më të mira profesionale, duke qëndruar në kontakte të rregullta me njerëzit me të cilët punoni dhe mos i kontaktoni ata vetëm kur ju duhen favore.

Mësoni një gjuhë të huaj

Njohuritë në një gjuhë të dytë janë shumë të dobishme, veçanërisht në gjuhë angleze, gjermane apo spanjolle. Mësimi i një gjuhe të re ka jashtëzakonisht shumë rëndësi për CV-në apo rezymenë tuaj pavarësisht profesionit apo fushës në të cilën jeni të fokusuar. Ndonëse kërkon kohë dhe angazhim, mësimi i një gjuhe të re është shumë frytdhënës si dhe nuk është kurrë vonë për të filluar.

Mësoni aftësi të reja

Krijoni një listë me gjërat të cilat dëshironi t’i përmirësoni në punë. Gjeni forma për të mësuar aftësi të cilat janë të rëndësishme për industrinë në të cilën punoni. Përpos kësaj, lexoni libra që lidhen me punë, biznes, apo industritë ku jeni të përqendruar. Ndani nga koha juaj edhe për të parë emisione që mund t’ju ndihmojnë në përvetësimin e aftësive të ndryshme si dhe bëhuni pjesë e kurseve apo trajnimeve online.

Hulumtoni punën e ëndrrave

Nëse jeni të pakënaqur me punën që keni dhe dëshironi të ndërroni kompani dhe rol, mund ta shfrytëzoni karantinën edhe për të hulumtuar rreth punës së ëndrrave. Fokusohuni tek shpalljet e punës dhe analizoni përshkrimin e punës që të kuptoni se si mund të ndërlidhet një rol apo një kompani me kërkesat dhe kualifikimet e juaja. /AkademiPune/.


MË SHUME NGA Ekonomi