Pandemia mund të lë papunë deri 60 mijë persona, kërkohet reflektim

Pandemia mund të lë papunë deri 60 mijë persona, kërkohet reflektim

Prej muajit mars të këtij viti edhe kur filloi pandemia, në Kosovë kanë humbur punën rreth 40 mijë persona.

Por nëse vazhdon ky trend numri i atyre që do të humbin punën për shkak të pandemisë do të rritet deri në 60 mijë. Këto shifra i ka dhënë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Azemi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ka kompani që vazhdojnë të reduktojnë numrin e punëtorëve.

“Zyrtarisht kemi mbi 40 mijë humbje të vendeve të punës. Ne mendojmë se deri në fillim të shtatorit nëse me këtë trend vazhdohet do të arrihet shifra mbi 60 mijë, por fatkeqësisht edhe këta që i kemi në marrëdhënie pune nuk kemi një siguri të plotë sepse një pjesë e madhe të kompanive po kërkojnë që numri i punëtorëve të reduktohet”.

“Në rastet të tilla po ka që po kërkojnë nga punëtorët që të punojnë me nga katër orë punë dhe pagat e tyre t’iu zvogëlohet për 50 për qind”, u shpreh ai.

Teksa ka folur për këtë dukuri, Azemi ka thënë se migrimi për shumë punëtorë të sektorit privat ka mbetur rrugëdalje e vetme.

E për këtë, ai ka apeluar tek institucionet që të reflektojnë në këtë drejtim, duke shtuar se nuk ka pasur asnjëherë gjendje kaq të rëndë të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës.

“Migrimi ka qenë çdo herë një potencial aktiv i cili vetëm sa kjo pandemi ia ka shtuar arsyet e kërkesave të sektorit privat që në momentin e parë kur krijohen kushtet tikin sepse këtu nuk ka qeverisje të mirë, nuk ka një ide sesi të merret me punëtorët e sektorit privat”.

“Për çdo ditë janë duke u zvogëluar mundësitë për të jetuar këtu, sepse ka humbur shpresa definitivisht që shteti jonë të merret me këta punëtorë dhe zgjidhja e vetme është dalja jashtë nga Kosova”, tha ai.

E për njohësin e çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj pandemia më shumë i ka goditur punëtorët e sektorit të gastronomisë.

“Ka pasur shumë biznese sidomos pjesa e gastronomisë dhe të ngjashme dhe po ashtu tekstili nuk kanë punuar aq shumë, ndoshta janë ndaluar në momente të caktuara, kështu që ka reflektim negativ dhe kjo është e ditur, por që duke shpresuar me një bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndonjë ndihmë të tillë, poashtu edhe në rimëkëmbje ekonomike, që sado pak të del në krah ekonomisë vendore sepse më shumë se kurrë kemi nevojë përkrahje ndërkombëtare”, tha ai.