Rimëkëmbja do të fillojë në fund të vitit 2021

Rimëkëmbja do të fillojë në fund të vitit 2021

Institucionet e Kosovës kanë dështuar duke mos radhitur me prioritet ekonominë gjatë pandemisë Covid 19.

Kështu ka vlerësuar në një intervistë për arbresh.info, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se 2020-ta është ndër vitet më të vështira për Kosovën.

Gerxhaliu ka shtuar gjithashtu se jostabiliteti ekonomik po mund edhe pandeminë Covid 19.

“Viti 2020 është një ndër vitet më të vështira me të cilin Kosova është ballafaquar, kemi filluar vitin pa qeveri, pa buxhet dhe krejt kësaj i shtohet fakti se jemi goditur nga pandemia e Covid 19 e bënë edhe më shqetësuese këtë situatë. Kosova po ballafaqohet me pandeminë Covid 19, pandeminë ekonomike, pandeminë sociale dhe të gjitha këto po i mund jo stabiliteti politik, dhe politika që më shumë mbrojnë interesat e partive sesa ato të qytetarëve dhe të shtetit”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka shtuar se institucionet kanë dështuar në mos marrjen e ekonomisë me prioritet dhe mbështetjen e sektorit privat.

Definitivisht dështimi është evident, po e shihni me vet faktin e formës që diskutohet mes partive dhe fitohet bindja se po debatohet mes dy shteteve armiqësore e jo në parlamentin e një republike të re. Nëse nuk do ta kemi prioritet ekonominë dhe mbështetjen e sektorit privat atëherë Kosova do të jetë mjaft e sfiduar në të ardhmen dhe vet fakti se kriza sociale është në rritje e sipër gjithashtu edhe performanca e sektorit privat është në tkurrje”, ka shtuar ai.

Gerxhaliu ka shtuar se Kosovës i duhet ‘infuzion’ financiar prej mbi 1 miliardë euro.

“Jemi të vonuar në këtë drejtim është koha kur duhet të pranohet realiteti, duhet të gjitha akterët relevantë të jenë të rirenditur në interes të shtetit dhe qytetarëve. Kosovës i duhet një infuzion financiar prej të paktën 1 miliardë e 200 mijë deri në 1 miliard e 400 mijë euro që të rritet kërkesa agregate apo të shtohet konsumi e tek atëherë mund të bisedohet për një rimëkëmbje”, ka shtuar ai.

Ai gjatë intervistës ka folur edhe për tërheqjen e 10%-shit nga Trusti, dhe rikthimin e humbjeve ekonomike.


MË SHUME NGA Ekonomi