OIK me kërkesa konkrete për Projektligjin për Pandeminë

OIK me kërkesa konkrete për Projektligjin për Pandeminë

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj ka parashtruar 3 kërkesa në dëgjimin publik për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë, të cilat në formë të shkruar do t’i paraqiten deputetëve, pjesë e komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Një varg kërkesash të shkruara do t’i paraqiten nga Oda e Infermierëve, Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, që të parashihen në Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e Pandemisë.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i OIK, Naser Rrustemaj, në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, kryetari Rrustemaj ka thënë se infermierët po bëjnë një punë kolosale që nuk duhet të harrohet nga deputetët, pavarësisht, partive politike që i përkasin.

“Si OIK dua të falëmnderoj gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit për punën e bërë dhe uroj që ata që kanë COVID, që është një numër I madh i të prekurve nga radhët e profesionistëve shëndetësorë, iu dëshiroj shërim të shpejt dhe të kthehen në punën që I pret”, ka thënë kryetari Rrustemaj. Ai është ndalur në 3 çështje, të cilat ka thënë se duhët të parashihen me ligj të veçantë. “Të kompensohen gjithë profesionistët shëndetësorë gjatë kohës së pandemisë, nga shpallja e pandemisë deri në shfuqizimin e gjendjes së pandemisë. Dua të ndalem edhe në kushtet profesionale të profesionistëve shëndetësorë të cilat me të vërtetë janë kushte që duhet të përmirësohen si dhe në dinjitetin e profesinistëve shëndetësorë dhe numrin e tyre, pasi kemi një numër shumë të vogël në gjitha institucionet shëndetësore. Prandaj, duhet të parashihet që të shtohen resurset humane”, ka thënë Rrustemaj, në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit.

Ai është zotuar se OIK do të paraqes në detaje, këto kërkesa, të cilat komisionit për shëndetësi do t’i paraqiten në formën e shkruar.


MË SHUME NGA Shëndetësi