Dalin pagat për punëtorët e Telekomit

Dalin pagat për punëtorët e Telekomit

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë marrë pagat për muajin korrik. Pas bllokimit dhe tërheqjes së mjeteve nga Z Mobile dhe zhbllokimit të xhirollogarive me ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës, situata financiare në këtë ndërmarrje publike u vështirësua.

Megjithatë, në ditën e 11 të muajit gusht ka filluar ekzekutimi i pagave. Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

Sipas tij, pagat janë kompletuar me shumë vështirësi dhe se punëtorët kanë sakrifikuar në vazhdimësi duke pranuar që pagat e tyre të zbriten pasi kanë mirëkuptuar situatën dhe me qëllim për të rimëkëmbur Telekomin.

Balaj deklaroi se kontratat dhe vendimet e dëmshme të njerëzve që e kanë udhëhequr Telekomin janë duke i paguar punëtorët dhe se të njëjtit nuk do të lejohen të rikthehen sërish në krye të kësaj ndërmarrjeje.

“Zyrtarisht kanë filluar të dalin pagat dhe ka qenë jashtëzakonisht vështirësi e madhe, dhe do të kemi vështirësi në paga, por besoj fuqishëm që Qeveria të ndihmojë duke investuar. Ne si punëtorë kemi dhënë kontributin tonë, i kemi ul pagat në vazhdimësi, i kemi ul prapë, vetëm e vetëm për ta rimëkëmbur Telekomin, por nuk do ta lejojmë më në asnjë mënyrë si punëtorë që, njerëz që e kanë zhvatur Telekomin e Kosovës, njerëzit që e kanë udhëhequr Telekomin, brenda Telekomit, të nënshkruajnë kontrata te dëmshme, ashtu qysh kanë nënshkruar, dhe që dëmi të paguhet me pare’ të punëtorëve. Tash gjithçka është e qartë, e kemi informuar edhe ministrin (e Ekonomisë) dhe kryeministrin që nuk do të lejojmë që zhvatësit që kanë qenë të emëruar në Telekomin e Kosovës dhe kanë nënshkruar kontrata të dëmshme të jenë prapë pjesë e menaxhimit në Telekom”, deklaroi Balaj.

Balaj deklaroi se bllokimi i xhirollogarive ishte i qëllimshëm nga përmbaruesi privat me kërkesë të Z Mobile. Ai ka thënë se kjo është bërë për interesa të klaneve të ndryshme.

Sipas tij, mjetet e tërhequra ishin të dedikuara për investim pas Telekomi qëndron në vështirësi teknike dhe kjo do të shënonte fazën e parë të rimëkëmbjes.

“Dëmet janë të mëdha, domethënë, tërheqja e mjeteve dhe bllokimi i xhirollogarive ka qene i qëllimshëm, dëmet janë të riparueshme sepse ato mjete kanë qenë të dedikuara për investim në Telekomin e Kosovës. Janë mjete të cilat Qeveria i ka dhënë në fazën e parë për rimëkëmbje të Telekomit, dhe si qëllimisht për mos të lejohet që ato mjete mos të shkojnë në investim, sepse ju e dini që ne jemi jashtëzakonisht keq me teknikë, kemi ngarkesa të mëdha sepse investime nuk janë bërë që 6 vite në Telekom dhe ka qenë gjithçka e përgatitur, janë tërhequr ato mjete në kohën më të keqe që mos të lejohen të bëhen investime në Telekom, ndoshta për interesa të klaneve të ndryshme jashtë Telekomit, dhe që Telekomi të ketë rënie edhe më të madhe, dhe ndoshta me u ngritë kompani të cilat kanë hyrë fuqishëm në treg të telekomunikacionit, dhe pse jo dikush që po tenton të blejë një kompani të telekomunikacionit dhe me ja ngritë vlerën asaj”, tha Balaj.

Kryeministri Hoti u zotua se asnjë punëtor nuk do të humbasë vendin e punës dhe këtë e thotë për KosovaPress edhe Balaj, që thekson se nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

“Jo, konkretisht nuk ka për momentin gjithçka është duke funksionuar, edhe pse me vështirësi për shkak të mjeteve, por jo që nuk ka punëtorë që kanë humbur punën por ne nuk do të lejojmë që të humbasë asnjë vend i punës, i punëtorëve në Telekomin e Kosovës”, ka thënë Balaj.

Balaj deklaroi se pritjet nga kjo Qeveri janë të mëdha, pasi që kryeministri Hoti është zotuar publikisht. Ai gjithashtu ka deklaruar që gjatë kësaj jave do të ketë takim të sindikatës, ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi, si dhe bordit, dhe pastaj do të dilet me ndonjë plan veprim që do të bënte zgjidhje për Telekomin.