BEI mbështet rindërtimin e rrugëve kryesore me 40 milionë euro

BEI mbështet rindërtimin e rrugëve kryesore me 40 milionë euro

Banka Europiane e Investimeve (BEI) nënshkroi një këst të dytë me vlerë 40 milionë euro, për rindërtimin e 180 kilometrave rrugë përgjatë pesë rrugëve kryesore në Mal të Zi.

Kredia nga banka e BE-së plotësohet nga një grant prej 1,5 milionë eurosh në ndihmë teknike të dhënë sipas Nismës së Rezistencës Ekonomike (ERI).

Ky është granti i parë i ERI që i jepet një projekti në Ballkanin Perëndimor. Investimi i përgjithshëm i BEI, me vlerë 80 milionë €, pritet të rrisë sigurinë dhe efikasitetin në rrugë dhe të lehtësojë rimëkëmbjen më të shpejtë ekonomike dhe tregtinë rajonale.

Grantet e asistencës teknike të ERI rrisin qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm, punësimin dhe infrastrukturën jetësore, në rajonet më të prekura nga kriza e emigracionit.

Në këtë rast, granti i asistencës teknike të ERI synon të zhvillojë një qasje moderne të standardizuar dhe një mbikëqyrje me cilësi më të lartë në përputhje me standardet e BE-së.

Modernizimi i rrugëve dhe rritja e sigurisë përgjatë seksioneve të rindërtuara do të reduktojë kostot e automjeteve, kohën e lëvizjes dhe aksidentet rrugore. Rreth 4 100 punë të përkohshme do të krijohen në kuadër të këtij projekti, duke mbështetur sektorin privat në Mal të Zi.

Nënkryetari i BEI-së, Dario Scannapieco, tha: “Rigjallërimi i infrastrukturës së transportit mbetet shumë i rëndësishëm për tregtinë, punësimin dhe rimëkëmbjen e përgjithshme ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Kapaciteti i përmirësuar i ekonomive vendore për të përvetësuar dhe për t’iu përgjigjur krizave krijon një mjedis për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Duke restauruar një të katërtën e të gjithë rrjetit rrugor kombëtar në Mal të Zi, ne synojmë të mbështesim lidhjen rajonale dhe të forcojmë integrimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Qasja në rrugë të sigurta dhe moderne nuk duhet të jetë një privilegj, por domosdoshmëri për të gjithë në përpjekjet tona drejt rritjes së konkurrencës, qëndrueshmërisë dhe integrimit më të shpejtë në BE”.


MË SHUME NGA Ekonomi