Pandemia ndaloi udhëtimet

Pandemia ndaloi udhëtimet

Tui, operatori më i madh turistik në Europë pësoi një humbje prej 1,1 miliardë euro midis prillit dhe qershorit pasi pandemi ndaloi udhëtimet dhe shkaktoi një rënie të të ardhurave pre 98 për qind.

Grupi, i cili filloi sërish udhëtimet në mes të qershorit, tha se ringjallja e kërkesës ishte “inkurajuese”, por që prenotimet verore ishin 80% më të ulëta se vitin e kaluar dhe se nuk presin që kërkesa të kthehet në normale deri në vitin 2022.

Kompania gjermane ka rihapur më shumë se gjysmën e hoteleve të saj në të gjithë botën, përfshirë në Europë, Meksikë, Egjipt dhe Karaibe, megjithëse ato kanë një normë mesatare të prenotimit vetëm 23% për të lejuar distancimin social.

Nga ana tjetër operacionet e lundrimit të Tui mbeten të pezulluara deri në fund të gushtit.

Shefi ekzekutiv i grupit, Fritz Joussen, tha se Tui ishte kompania e parë e udhëtimit që nisi fluturimet pas heqjes së kufizimeve dhe theksoi se “pushimet verore zhvillohen me përgjegjësi dhe me standardet më të larta të higjienës në të gjitha tregjet”.

“Ne vepruam shumë shpejt në fillim të krizës në mars dhe me përgjegjësi zotëruam fillimin e ri gjatë verës – së bashku me qeveritë dhe partnerët. Tani do të ulim në mënyrë të qëndrueshme kostot tona dhe në këtë mënyrë do të forcojmë pozicionin tonë në treg, “tha Joussen.

Kompania nuk do të ketë një parashikim për pjesën tjetër të vitit, pasi pandemia vazhdon të ndikojë në udhëtime.

Rivendosja e kufizimeve të reja të udhëtimit dhe kthimi i karantinës nga Britania për të gjithë ata që vijnë nga Spanja çoi në një valë të re anulimesh, pasi Tui anuloi të gjitha pushimet e britanikëve në territorin e Spanjës deri më 9 gusht.

Tui konfirmoi se ka siguruar një financim shtesë prej 1.2 miliardë eurosh nga qeveria gjermane, për ta marrë atë gjatë sezonit të qetë të dimrit./The Guardian


MË SHUME NGA Ekonomi