Fondi Norvegjez i Stabilizimit regjistron humbje prej 21 miliardë dollarësh
Fondi Norvegjez i Stabilizimit, një nga fondet më të mëdha të pasurive shtetërore në botë, tha sot se në gjysmën e parë të vitit 2020 ka regjistruar një humbje në investime prej 188 miliardë korona norvegjeze, ose 21,3 miliardë dollarë.
Fondi në një deklaratë tha se humbja ishte kryesisht për shkak të rënies së vlerës së aksioneve dhe portofolit të pasurive të patundshme në kohën e pandemisë globale të koronavirusit (COVID-19).
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, fondi regjistroi një humbje në investime prej 3,4 për qind. Fitimet në portofolin e kapitalit neto ranë me 6,8 për qind, kurse rënien më të madhe deri në 33,1 për qind e regjistruan aksionet e kompanive të naftës, kryesisht për shkak të rënies së çmimit të naftës.
Në vitin 2019, ai gjeneroi një rekord prej 180 miliardë dollarësh në të ardhura nga fitimi, falë rritjes së fortë të tregut të aksioneve.
Trond Grande, zëvendësdrejtor i Fondit Norvegjez të Stabilizimit, tha që kishte luhatje të mëdha në tregun e aksioneve në gjysmën e parë të këtij viti.
"Ne e filluam vitin me optimizëm, por me përhapjen e koronavirusit të ri në të gjithë botën, perspektiva në tregun e aksioneve ndryshoi shpejt. Tregjet më pas treguan një rimëkëmbje të mirë në tremujorin e dytë, por ne akoma jemi dëshmitarë të një pasigurie të madhe", tha Grande.
Fondi Norvegjez i Stabilizimit u themelua në vitin 1990 për të investuar të ardhura nga shitja e naftës dhe gazit. Ai është një nga fondet më të pasura në botë dhe i është besuar menaxhimi i pasurive, duke përfshirë edhe aksionet e pronësisë të 9.200 kompanive nga e gjithë bota.
Të ardhurat nga fondi përdoren gjithashtu për të paguar pensione për shtetasit norvegjezë, kurse vlera aktuale e fondit korrespondon me rreth 214.000 dollarë në kursime pensionesh për secilin qytetar të këtij vendi.























