Sinjale të mira për ekonominë franceze
Besimi i biznesit në Francë u rimëkëmb gjatë gushtit, pranë nivelit më të lartë që prej kohës kur shpërtheu pandemia, tregojnë të dhënat më të fundit. Rezultati pozitiv vjen pavarësisht faktit se të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve me infeksion.
Zyra kombëtare e statistikave në vend tregon se, indeksi i ndjeshmërisë së biznesit, që është perceptimi me të cilin sipërmarrësit i qasen tregut, u rrit në 91 pikë gjatë gushtit, nga 84 pikë që ishte muajin paraardhës. Ky është niveli më i lartë që prej marsit, kur vendi hynte në shtetrrethim. Besimi i biznesit ka vijuar në rritje që prej datës 11 maj, kur qeveria vendosi të lehtësonte hap pas hapi masat anti-covid.
Të dhënat shihen si shenja mjaft pozitve për ekonominë nga ekspertët, pasi vijnë në një kohë që të gjithë i tremben një vale të dytë të virusit, pavarësisht se, Emmanuel Macron e ka përsëritur disa herë se mbyllje të dytë të vendit nuk do të ketë më.























