Pakistani kërkon investime turke për të nxitur turizmin
BKT
Ekonomi

Pakistani kërkon investime turke për të nxitur turizmin

Pakistani ka ftuar Turqinë të investojë në zonat veriore të vendit dhe të ndihmojë në rritjen e turizmit në rajonin piktoresk.

Media shtetërore Radio Pakistan sot bëri të ditur se oferta është parashtruar nga Ali Amin Gandapur, ministër për Çështjet e Kashmirit dhe Gilgit-Baltistanit, në një takim me Gökhan Umut, kreun e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Pakistan.

Rreth 2 milionë turistë vizitojnë zonat piktoreske Gilgit-Baltistan çdo vit, i tha Gandapur kreut të TIKA-s, duke theksuar mundësitë e jashtëzakonshme për investitorët turq dhe të huaj në sektorin e turizmit në rajon.

Ai tha se qeveria po punon për të ngritur zona ekonomike në Gilgit-Baltistan, të cilat do të hapin rrugë të reja për zhvillimin industrial në rajon.

Zonat ekonomike janë pjesë e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan me vlerë prej miliarda dollarësh, një rrjet i gjerë rrugësh, hekurudhash dhe tubacionesh që synon të lidhë provincën veri-perëndimore kineze Xinjiang, që ka rëndësi strategjike për Kinën, me portin e Gwadarit në provincën jug-perëndimore pakistaneze të Balochistanit.

Rajoni malor Gilgit-Baltistan, i njohur dikur si Zonat Veriore, kufizohet me Kinën dhe është një hyrje për korridorin ekonomik.

Duke ndarë detaje të aktiviteteve të TIKA-s në Pakistan, Umut tha se agjencia është e përgatitur të ndërmarrë projekte zhvillimi në Xhamu dhe Kashmir të administruara nga Pakistani si dhe rajonit Gilgit-Baltistan.

"TIKA po punon me Pakistanin në sektorët e saj social, shëndetësor dhe arsimor dhe është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë për mirëqenien e popullit të Pakistanit", tha ai.

Mbështetja e Turqisë është "thelbësore" për Kashmirin dhe botën muslimane

Ministri pakistanez gjithashtu përshëndeti mbështetjen e palëkundur të Turqisë për popullin e Kashmirit dhe gatishmërinë e saj për të ngritur zërin për muslimanët e shtypur në të gjithë botën.

"Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka marrë gjithmonë një qëndrim të qartë për çështjen e Kashmirit dhe qeveria dhe populli i Pakistanit falënderojnë Turqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme", tha Gandapur.

Komentet e tij ishin të ngjashme me komentet e bëra nga Shehryar Afridi, kreu i Komitetit Parlamentar të Pakistanit për Kashmirin, i cili përshëndeti "rolin kryesor" të presidentit Erdoğan në botën muslimane dhe duke ngritur çështjen e Kashmirit në nivel ndërkombëtar.

"Turqia ka luajtur një rol kryesor në bashkimin e tërë komunitetit musliman kundër armiqve të saj të përbashkët", tha dje Afridi në një takim me ambasadorin turk, Mustafa Yurdakul.


MË SHUME NGA Ekonomi