​Meta dekoron 20 luftëtarë të shquar të Luftës Kombëtare në Vlorë

​Meta dekoron 20 luftëtarë të shquar të Luftës Kombëtare në Vlorë

Në kuadër të përkujtimit të ngjarjes madhore historike të 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vlerësoi sot me Tituj të lartë Nderi, disa nga luftëtarët dhe komandantët e saj më të shquar.

Në ceremoninë solemne në “Sheshin e Flamurit”, presidenti Meta çmoi (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Osman Haxhiu, Ahmet Lepenicën dhe Sali Vranishtin, ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Halim Xhelon, Toto Hosin, Memo Bratin dhe Beqir Kaninën.

Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, presidenti Meta vlerësoi Ibrahim Abdullain, Abdurrahman Çirakun, Arshi Dalanin, Sheme Sadikun, Rustem Çepanin dhe Muharrem Rushitin. Ndërsa Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” presidenti Meta ua akordoi Ahmet Mukës dhe Nuredin Aliut.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” u vlerësua Halim Hamiti, Riza Kodheli, Xhem Misja, Zekije Krasta dhe Xhemal Shtylla (pas vdekjes).

Presidenti Meta tha se Lufta e Vlorës shpërtheu në një moment kyç për vendin duke i dhënë fund projekteve të huaja për shpërbërjen e Shqipërisë.

“Lufta e Vlorës e vitit 1920 ishte lufta më e vërtetë për Shqipërinë dhe ekzistencën e saj, ishte lufta që garantoi funksionimin e pavarësisë së shpallur nga Ismail Qemali. Ajo njihet si Lufta e Vlorës, por ishte lufta kombëtare për Shqipërinë, për mbrojtjen e integritetit territorial, për vendosjen e autoritetit të shtetit në të gjithë vendin, për ndalimin e planeve antishqiptare që vinin në pikëpyetje Pavarësinë e shpallur në 1912, por edhe kufijtë e njohur në 1913.
Thirrja e presidentit amerikan Wilson, për të drejtën e popujve të vegjël për vetëvendosje dhe për t’u dhënë fund një herë e mirë traktateve të fshehta në dëm të tyre, ngjallën shpresa të mëdha edhe për shqiptarët”, u shpreh ai./tch