AKK, vizitë pune në Komunën e Fushë Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore për projektin për pronë të paluajtshme dhe infrastrukturë gjeohapësinore (REGIP), i cili së fundi është ratifikuar nga parlamenti i Republikës së Kosovës.
Agjencia Kadastrale e Kosovës si përfituese e këtij projekti ka filluar me aktivitete konkrete për implementimin e tij. Në kuadër të projektit REGIP njëra nga komponentat, Komponenta B – “Modernizimi i Kadastrit”, si aktivitet kryesor ka Rindërtimin e Informacioneve Kadastrale në rreth 100 Zona Kadastrale në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës. Për më shumë, janë edhe disa aktivitetet tjera nga të cilat mund të përfitojë edhe Komunat.
Për këtë arsye, respektivisht me qëllim të diskutimit rreth fushave të interesit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të konkretizohej dhe me qëllim të identifikimit të hapave konkret për bashkëpunim, sot është mbajtur një takim pune mes Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti dhe Kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës z. Burim Berisha. Në takim, pos prezantimit të projektit të Bankës Botërore edhe aktiviteteve të ndërsjella të institucioneve respektive, është diskutuar edhe mbi të gjeturat e raportit të monitorimit të punëve kadastrale të kryera nga Zyrat Kadastrale Komunale, kompanitë e licencuara gjeodete dhe gjeodetët e licencuar.
Z. Berisha është zotuar që të trajtojë të gjeturat me qëllim të eliminimit të parregullësive eventuale të gjetura e të prezantuara në raport. Po ashtu, prijësit e institucioneve u pajtuan që takimet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, qoftë në nivel të lartë e qoftë në nivel teknik, krejt me qëllim të avancimit të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.























