Britania siguron marrëveshjen e parë tregtare me Japoninë pas Brexit-it
Japonia dhe Britania e Madhe njoftuan të premten arritjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë pas Brexit-it, ndërsa Britania përshëndeti "marrëveshjen e saj të parë të madhe tregtare" si një vend i pavarur tregtar.
Njoftimi u bë pas një takimi virtual midis ministrit të Jashtëm të Japonisë, Toshimitsu Motegi dhe Liz Truss, sekretarit të tregtisë ndërkombëtare të Britanisë së Madhe.
Marrëveshja hap rrugën për marrëdhënie të qetë bilaterale të biznesit pas përfundimit të periudhës së tranzicionit të Londrës të largimit nga Bashkimi Evropian në dhjetor, njoftoi Kyodo News.
Të dy ekonomitë që janë pjesë e grupit G20 të ekonomive më të fuqishme botërore, po punojnë për të zbatuar marrëveshjen e re deri në janar të vitit të ardhshëm.
Japonia dhe Britania e Madhe kanë qenë në diskutime që nga qershori, duke kulmuar sot me arritjen e marrëveshjes "kryesisht" të ngjashme me marrëveshjen e tregtisë Japoni-BE, e cila është në fuqi që nga shkurti 2019.
Britania e Madhe u largua nga BE më 31 janar, por është ende në periudhë tranzicioni.
Qeveria e Britanisë së Madhe në deklaratën e saj tha se marrëveshja do të rrisë vëllimin e tregtisë me Japoninë me rreth 15.2 miliardë funta (20.6 miliardë dollarë) nga 37 miliardë dollarë ekzistues.
"Bizneset britanike do të përfitojnë nga tregtia pa tarifa të 99 për qind të eksporteve në Japoni", tha Qeveria e Britanisë, duke e quajtur marrëveshjen një "hap të rëndësishëm drejt bashkimit" të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP).
"Kjo do t'u japë bizneseve në Britani një portë drejt rajonit Azi-Paqësor dhe do të ndihmojë për të rritur qëndrueshmërinë dhe diversitetin e zinxhirëve tanë të furnizimit".























