KEDS u krijon mundësi operatorëve për shfrytëzim të kanaleve nëntokësore

KEDS u krijon mundësi operatorëve për shfrytëzim të kanaleve nëntokësore

Në vazhdën e takimeve me institucione të nivelit lokal, Drejtori për Investime i KEDS, Hasan Oz u prit në takim nga Këshilltari i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Baton Dushi. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues nga KRU `Prishtina` dhe Telekomi.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi mes institucioneve për bashkëpunim në lidhje me mundësinë e shfrytëzimit të infrastrukturës dhe aseteve nëntokësore të KEDS, duke marrë parasysh investimet e KEDS që po bëhen në kryeqytet për vendosjen e kabllove nën tokë.
 
Drejtori për Investime i KEDS, Hasan Oz, tha se KEDS është i hapur për bashkëpunim me të gjithë operatorët. Ai potencoi se investimet e KEDS në kryeqytet janë duke vazhduar me një dinamikë të lartë, derisa tha se po krijohen mundësi edhe për operatorët tjerë të shfrytëzojnë kanalet nëntokësore të KEDS përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit. 
 
"KEDS është duke punuar me intenzitet të shtuar në shtrirjen e rrjetit nëntokësorë gjithandej Prishtinës. Mbi 1000 punëtorë janë angazhuar në këtë mega investim. KEDS po krijon mundësi që këto kanale të shfrytëzohen edhe nga operatorë tjerë. Padyshim se vendosja e kabllove nëntokësore do të ndryshoj pamjen e Prishtinës"- tha Oz. 
 
Tutje, Drejtori për investime, Hasan Oz, i informoj të pranishmit që përmes mega investimit që po bëhet në Prishtinë, 90% e rrjetit të tensionit të mesëm do të vendoset nën tokë.