Takim mes Rrjetit të Shitësve me Pakicë dhe Zyres së BE-së në Kosovë

Takim mes Rrjetit të Shitësve me Pakicë dhe Zyres së BE-së në Kosovë

Rrjeti i Shitësve me Pakicë organizoi takim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë për të diskutuar lidhur me çështjet të cilat pengojnë tregtinë e lirë dhe ngadalësojnë zhvillimin e sektorit të shitjes me pakicë në Kosovë.

Në takim, nga Zyra e Bashkimit Evropian, prezent ishin Miran Vatovec dhe Vadim Deleu dhe në fokus të veçantë ishte dispozita e cila parasheh për vendosjen e flamurit të vendit të origjinës pranë çmimit të produktit. 

Nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë u elaborua se kjo dispozitë ka ngritur kostot dhe vështirësuar operacionet e bizneseve, nuk identifikon kualitetin e produkteve dhe për më tepër shërben si masë për të dëmtuar bizneset e rregulluara dhe të vendosura mirë në treg.

Zyra e Bashkimit Evropian konfirmoi qëndrimin kundër kësaj dispozite gjërsa u theksua se bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në këtë drejtim, palët u dakorduan se duhet vazhduar avokimi ndaj institucioneve qeverisëse për plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite e cila gjithashtu ka vendosur subjektet ekonomike të rregullta dhe të vendosura mirë në treg në një pozitë të vështirë nga konkurrenca jolojale.

Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 në sektorin e shitjes me pakicë, Ligjin për Tregti të Brendshme i cili është në fazë të konsultimeve publike dhe nevojën e trajtimit të çështjes së kallos.