Shoqëria civile e vlerëson raportin e DASH-it si shqetësues

Shoqëria civile e vlerëson raportin e DASH-it si shqetësues

Shqetësues dhe i pafavorshëm po vlerësohet nga shoqëria civile raporti i Departamentit të Shtetit amerikan (DASH) për klimën e investimeve në Kosovë për vitin 2020.

Përderisa në raport thuhet se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial është i kufizuar nga dështimi për të adresuar çështje serioze strukturore përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global, paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi dhe korrupsioni.

Hulumtuesi në “Demokracy Plus”, Emir Abrashi thotë për KosovaPress, se kjo qeveri duhet ta ketë në fokus sundimin e ligjit për të eliminuar kufizimin ekonomik rajonal dhe botërorë, ndërhyrjet politike në ekonomi dhe luftimin e korrupsionit.

Abrashi: Raporti shqetësues dhe i pafavorshëm

Video

“Raporti i Departamentit të shtetit amerikan ishte i pak i pafavorshëm për Kosovën, dhe ishte shqetësues për shkak se i kishte renditur disa gjëra për të cilat edhe janë të njohura, siç është çështja e korrupsionit, integrimi i kufizuar rajonal dhe global i Kosovës, ndërhyrja në ekonomi nga politika... furnizimi i pa qëndrueshëm i energjisë, spektrori i madh jo formal, këto janë të gjitha problemet për të cilat ne jemi të vetëdijshëm si shoqëri dhe flasim në baza ditore. Departamenti i amerikan i shtetit në raport thekson se ekonomia e Kosovës varet shumë nga ndihma ndërkombëtare, si dhe nga remitencat. Këta janë faktor që ndikojnë edhe tek investitorët potencial dhe investimet e huaja direkte në Kosovë. Një gjë tjetër që theksohet në raport është se ka diku rreth 5 përqind rënie ekonomike për shkak të pandemisë. Prandaj, kjo normalisht e detyron Qeverinë që të ndërmarr hapa shtesë”, thotë Abrashi.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive në Grupin për Studime Juridike Politike (GSJP), Arbresha Loxha ka theksuar se lufta ndaj korrupsionit fatkeqësisht nuk është në prioritet as të kësaj qeverie.

Sipas Loxhes, mungesa e vullnetit politik ka ndikuar që të ketë ngecje në procesin reformues edhe në sistemin e drejtësisë.

Loxha: Nuk ka vullnet politik për reforma

Video

“Fatkeqësisht as me këtë qeveri nuk kemi parë që lufta kundër korrupsionit të jetë prioritet dhe të ketë ndërmarrë ndonjë masë konkrete e cila do të përbënte një hap pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Për më tepër kemi degradim ose ngecje në shumë procese reformuese përfshirë edhe sistemin e drejtësisë. E dimë që vetingu duke qe një ndër prioritet kryesore është kthyer në një aktivitet anësor nga Qeveria Hoti në 100 ditët e qeverisjes. Në përgjithësi nuk mund të presim as edhe një raport tjetër të jetë më pozitiv për Kosovën në të ardhmen meqenëse përgjatë këtyre muajve, por edhe viteve të kaluara nuk është bërë asgjë konkrete për të luftuar korrupsionin. Pra, nuk ka vullnet të spektrit politik të cilët udhëheqin me koalicionin qeverisës që të bëhet një gjë e tillë”, thotë Loxha.

Ajo po ashtu ka thënë se nuk janë eliminuar shpenzimet e pa nevojshme, nuk janë sanksionuar zyrtarët e korruptuar, por edhe ka pasur ndikim politik në sistemin e drejtësisë.

Edhe Florent Spahija nga KDI, mendon se ky raport konfirmon atë që shumë organizata të shoqërisë civile e kanë thënë me vite për gjendjen se korrupsioni është një ndër shkaktarët që e ndalon zhvillimin e Kosovës.

Spahija thekson se Kosova ka krijuar një infrastrukturë ligjore, megjithatë sfidë mbetet zbatimi i ligjeve.

Spahija: Korrupsioni është një ndër shkaktarët që e ndalon zhvillimin e Kosovës

Video

“Korrupsioni është një ndër shkaktarët që e ndalon zhvillimin e Kosovës, realisht korrupsioni vazhdueshëm në disa sfera ka bërë që Kosova të ketë ngecje edhe në çdo vit fillon të shënojë regres. Nëse flasim për çështje të investimeve të jashtme, edhe ky raport por edhe shumë raporte të tjera e vejnë në dukje mungesën e efikasitetit të gjykatave në luftën kundër korrupsionit, por edhe në çështjen e trajtimit lëndëve nga kompanitë e ndryshme. Në anën tjetër kemi edhe problemin e vazhdueshëm që kemi me zbatimin e ligjeve, edhe pse thuhet se në Kosovë ka ligje të mira me standarde evropiane, por që ka një zbrazëtirë në zbatimin e këtyre ligjeve.

Pandemia COVID-19, thuhet në raport, nuk ka gjasa të çojë në ndryshime të konsiderueshme të përhershme në politikat e investimeve në Kosovë.

Një tjetër problem në raport përmendet shkalla e lartë e papunësisë, zyrtarisht 25.7 përqind në 2019, ku nivelet e papunësisë për punëkërkuesit për herë të parë dhe gratë janë dukshëm më të larta se niveli zyrtar.

Në raport theksohet se përkundër sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm duke përfshirë disa firma ndërkombëtare dhe franshizat e SHBA. Disa investitorë janë tërhequr nga popullsia relativisht e re e Kosovës, kostot e ulëta të punës, afërsia relative me tregun e BE-së, thuhet në raport.

Drejtues të shoqërisë civile kanë thënë se në tërë Ballkanin klima është në nivel të njëjtëpër investime.


MË SHUME NGA Ekonomi