KEDS së bashku me Komunën e Kontraktorët inspektuan punimet në Pejton

KEDS së bashku me Komunën e Kontraktorët inspektuan punimet në Pejton

Drejtori për Investime i KEDS, Hasan Oz së bashku me Drejtorin për Infrastrukturë nga Komuna e Prishtinës, Gëzim Mehmeti dhe Kontraktorët e angazhuar për realizimin e punimeve⚒, inspektuan punimet që po zhvillohen në lagjen Pejton për rehabilitimin e rrjetit energjetik.

Drejtori për Investime i KEDS, Hasan Oz theksoi rëndësinë e këtij projekti përmes së cilit po bëhet vendosja e komplet rrjetit elektrik nëntokë për lagjen Pejton derisa shtoi se KEDS ka realizuar punimet sipas planit dinamik. “KEDS tashmë ka bërë shtrirjen e kanaleve nëntokësore në të gjitha rrugët kryesore të lagjes Pejton. Aktualisht jemi në fazën e kyçjes së konsumatorëve shtëpiak në rrjetin e ri.Pas kycjes së të gjithë konsumatorëve, do të fillojë menjëherë largimi i shtyllave” – tha Oz. 

Tutje, ai tha se KEDS ka lënë mundësi edhe për operatorët tjerë të shfrytëzojnë kanalet nëntokësore në këtë lagje. “KEDS përgjatë kanaleve nëntokësore, ka lënë alternativë shtesë për operatorët e telekomunikimeve, të cilët do të mund t’a shfrytëzojnë, në mënyrë që asnjë kabllo të mos mbetet ajrore.”- tha Hasan Oz, Drejtor për Investime i KEDS.

Ndërsa Drejtori për Infrastrukturë nga Komuna e Prishtinës, Gëzim Mehmeti gjatë këtij inspektimi u nda i kënaqur me punët e KEDS, duke kërkuar nga kontraktorët e angazhuar që sa më parë të finalizojnë projektin si tërësi për këtë lagje. “Lagja Pejton e meriton t’a ketë një pamje pa kabllo dhe shtylla. Ne kemi filluar asfaltimin e rrugëve në këtë lagje menjëherë pasi KEDS ka përfunduar punimet. Së shpejti do të fillojmë edhe asfaltimin e rrugëve të mbetura si dhe përfundimin e trotuareve.”- tha Mehmeti. 

Investimet në shtrirjen e rrjetit nëntokë në lagjen Pejton po bëhen në kuadër të mega projektit investues të KEDS për Kryeqytetin, ku po investohen 17 milion euro gjithandej Prishtinës. Përmes këtij investimi mbi 2500 shtylla elektrike të tensionit të ulët do të largohen derisa 90% e rrjetit të tensionit të mesëm do të vendoset nëntokë. 

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Ekonomi