Oda Ekonomike Amerikane kërkon lehtësimin e masave ndaj bizneseve HORECA

Oda Ekonomike Amerikane kërkon lehtësimin e masave ndaj bizneseve HORECA

Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës që kufizojnë aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve të industrisë HORECA.

Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit cilëson se kufizimi i orarit të lëvizjes dhe ndalesa e përdorimit të ambientit të brendshëm në aktivitetet e subjekteve afariste si në restorante, bare, pube, pengon rimëkëmbjen e këtyre bizneseve dhe zhvillim të lirë të aktivitetit ekonomik në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, derisa një praktikë e tillë gjithashtu ka implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes.

Të njëjtin efekt ka edhe vonesa në zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike të lidhura edhe me vonesat në aprovimin e legjislacionit përkatës, e cila mes tjerash pamundëson edhe zbritjen e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në 8%. Kjo ndikon në rimëkëmbjen e bizneseve të kësaj fushe, derisa aprovimi më i shpejtë i ligjit do të kishte ndikim në lehtësimin e operimit të ndërmarrjeve të prekura nga ndikimi i pandemisë COVID-19.

Vendimi për kufizimin e lëvizjes dhe ndalesën e qëndrimit, ngrënies dhe pirjes në ambiente të mbyllura po ndikon negativisht në operimet e subjekteve afariste përmes kufizimit të numrit të klientëve.

Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se vendimi për ndalimin e qëndrimit brenda dhe kufizimin e orarit të lëvizjes, padyshim që ka implikime edhe në zvogëlimin e të ardhurave nga shitjet, e që pamundëson zgjerimin dhe zhvillimin e sektorit HORECA. Rrjedhimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se çdo efekt pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë do të mbipeshohej nga ndikimet negative që ka në ekonominë e vendit dhe bizneset. Prandaj, konsiderojmë se angazhimi i institucioneve të qeverisjes lokale duhet të jetë i bazuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë për sektorin privat i cili krijon parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror gjatë kësaj periudhe.

Përfundimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që në koordinim me ministritë dhe institucionet përkatëse të rivlerësojnë masat e vendosura, të lejojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura, në restorante, bare dhe pube gjithmonë duke respektuar masat e vendosura nga IKSHPK-ja, të largojnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe të bëjnë votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.