Riaktivizohet Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm

Riaktivizohet Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm

Në Kuvendin e Kosovës është rithemeluar Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm, puna e të cilit kishte nisur në vitin 2018. Përmes kësaj agjende bashkërisht mund të ofrohet një jetë më e dinjitetshme për qytetarët.

Riaktivizimi i Këshillit u mundësua fal bashkëpunimit në mes të Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se për t’I sigurar qytetarëve jetë të dinjitetshme kërkohet angazhim dhe bashkëpunim I të gjithëve.

Sipas saj zbatimi i agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm është një obligim moral për të siguruar një të tashme më të mirë dhe për një të ardhme më të sigurt me mirëqenie pa dallim.

“Kjo është agjenda jonë e përbashkët dhe mundësia jonë që në mënyrë uniforme, pra e gjithë bota ta masim progresin që kemi shënuar për t’i siguruar çdo qytetari një jetë më të dinjitetshme. Në Kuvendin e Kosovës e kemi kuptuar rëndësinë e kësaj agjende, prandaj edhe kohë më parë kemi miratuar rezolutën për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm e cila më pastaj ka mundësuar edhe themelimin e Këshillin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në vitin 2018. Por fatkeqësisht për shkak të dinamikave politike, Këshilli nuk kishte arritur objektivin e vetë siç ishte planifikuar. Andaj sot kur po ballafaqohemi me një prej sfidave më të mëdha prej kohës sonë, kur e kemi të qartë rëndësinë e promovimit dhe avancimit të agjendës të zhvillimit të qëndrueshëm. Një koncept që zhvillim por edhe përparimi ynë bëhet vetëm në harmoni me natyrën dhe duke hartuar një gjithëpërfshirje të të gjitha palëve dhe të gjitha komuniteteve e të gjitha grupeve të interesit ne kemi vendosur që në këtë ditë të flasim Akoma më zëshëm për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe të shpallim si të riaktivizuar Këshillin për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kuvendin e Kosovës. Sot kur problemet i kemi të përbashkëta dhe të nivelit global është e pamundur të përballemi me to pa bashkëpunim, partneritet dhe aleanca me miq”, tha Osmani.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësisë cila tashmë edhe ka marr kryesimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm në kuadër të Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj tha se përmes riaktivizimit të këtij Këshilli do ketë mundësi që vendi të avancojë tutje për zbatimin e objektivave të SDG-ve.

“Ne kemi filluar me një përkushtim të punojmë bashkë me Kryesinë në sikonstruimin e këtij mekanizmi me qëllimin e vetëm që vendi ynë të avancoj tutje edhe në aspektin praktik të zhvillimit dhe të konkretizimit të politikave dhe strategjive të objektivave të OKB-së… Ne nuk do ndalemi dhe do vazhdojmë punën në 17 objektivat në 134 targetet dhe 347 indikatorët e përcaktuar. E them sinqerisht që koha mund të ndryshoj, ne mund të mos jemi në vendimmarrje apo procese të rëndësishme por nevojat e shoqërisë apo objektivat si zhdukja e varfërisë, barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit, arsimimi, mirëqenia, ekonomia dhe punësimi do jenë sfidë e vazhdueshme e shteteve të botës dhe sidomos e shteteve që janë në zhvillim me ekonomi të brishtë siç është vendi ynë“, theksoi Reshitaj.

Kurse, koordinatorja Zhvillimore e Agjencive të OKB-së, Ulrika Richardson tha se në këtë kohë kur pandemia ka prekur të gjitha vendet përparimi ka ngecur. Sipas saj, ringjallja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm do sjell vëmendjen e duhur për barazinë, qëndrueshëminë dhe dinjitetin për qytetarët e Kosovës.

“OBZH mund të tingëllojnë apo të duken të komplikuara por të gjitha kanë të bëjnë me humanitetin dhe opsioni më i mirë që e kemi dhe shansi më i mirë që kemi që kur reagojmë ndaj COVID të investojmë në të njëjtën kohë në këtë fushë të rëndësishme zhvillimore nuk mund ta bëjmë të dyja e di se është e mundshme ta kemi një reagim të integruar ndaj COVID dhe me qindra miliarda dollar që po shpenzohen në reagim ndaj COVID të sigurohemi se kjo të jetë e bashkërenduar për dinjitetin njerëzor. Dua të përgëzoj Kosovën që rezoluta për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe tash ringjallja e Këshillit për OBZH dhe nuk kam aspak dyshim që do ketë përparim të rëndësishëm dhe se vëmendja e duhur do u kushtohet aspekteve të rëndësishme siç janë barazia , qëndrueshmëria dhe dinjiteti”, u shpreh ajo.

Të pranishëm në ceremoninë e rithemelimit të Këshillit të SDG në Kuvendin e Kosovës morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të shteteve të ndryshe në Kosovë.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barashiq derisa e ka përgëzuar Kosovën për riaktivizimin e Këshillit tha se përmes tij të gjitha sfidave që përballen shtetet mund t’i përballojnë duke punuar së bashku për çka duhet edhe vullnet politik.

Barashiq u shpreh e lumtur që gratë në Kosovë po merren me problemet që I ka edhe bota.

“Në vendet pas konfliktit femrat janë kyçe për tu ballafaquar dhe sfidat dhe problemet e atyre vendeve dhe në ato vende thuhet se gratë po i rinvestojnë 80 për qind të të hyrave të tyre në familje dhe kur është fjala për meshkujt është vetëm 30 për qind. Kam kënaqësinë t’i shoh të gjitha këto gra trimëresha që po merren me të gjitha problemet dhe jam e sigurt se do ta kryejmë punën së bashku”, deklaroi Barashiq.

Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës ishte themeluar në vitin 2018 dhe qëllimi I tij ishte arritja e 17 objektivave zhvillimore, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm apo Agjenda 2030.