Komunat humbin 5.2 milionë euro shkaku i një vendimi të Goran Rakiqit

Komunat humbin 5.2 milionë euro shkaku i një vendimi të Goran Rakiqit

Komunat e Kosovës do të humbin 5.2 milionë euro, shkaku i vendimit të Ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, për shkëputjen e marrëveshjes tripalëshe në mes të kësaj ministrie, komunave dhe Helvetas Swiss Cooperation në Kosovë.

“ AKK shpreh shqetësim dhe nuk pajtohet me vendimin e Ministrit të Pushtetit Lokal (MPL) dhe e konsideron akt të paprecedentë dhe shpreh shqetësim lidhur me vendimmarrjen e njëanshme të MPL për shkëputjen e kontratës me donator për skemën e granteve për komuna e ku komunat do humbin 5.2 milion EUR”, kanë deklaruar nga Asociacioni. 

AKK’ja ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të ndërmarrë veprime për të shtruar në përgjegjësi gjithë akterët që kanë ndikuar për një situatë të tillë si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për Kryetarët e Komunave.

Deklarata e plotë:

1. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka përkrahur dhe do e përkrah skemën e granteve dhe i falenderon organizatat donatore për investimet e bëra deri më tani në fusha të ndryshme e që këto investime kanë ndikuar në përmisimin e jetës së qytetarit dhe zhvillimin e demokracisë lokale. AKK kërkon nga donatorët që edhe në të ardhmen të kenë një bashkëpunim të tillë me komunat e Republikës së Kosovës.

2. AKK shpreh shqetësim dhe nuk pajtohet me vendimin e Ministrit të Pushtetit Lokal (MPL) dhe e konsideron akt të paprecedentë dhe shpreh shqetësim lidhur me vendimmarrjen e njëanshme të MPL për shkëputjen e kontratës me donator për skemën e granteve për komuna e ku komunat do humbin 5.2 milion EUR.

3. AKK-së nuk pajtohet me arsyetimin e këtij vendimi se deklarata e Kuvendit të AKK-së, ku kërkohet transparencë dhe bashkëpunim më të mirë në mes MPL e Komunave, është shkaktar për shkëputjen e njëanshme të marrëveshjes tripalëshe. Vendimi mbi ndërprerjen e marrëveshjes tripalëshe nuk do të duhej të merrej pa konsultim paraprak me partnerët e marrëveshjes e në këtë rast edhe pas konsultim paraprak me komunat e Republikës së Kosovës si përfituese të këtij granti.

4. Kërkojmë nga z. Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime për të shtruar në përgjegjësi gjithë akterët që kanë ndikuar për një situatë të tillë si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për Kryetarët e Komunave.