Ballafaqimi me pandeminë dhe lufta e mantelbardhëve
BKT
Shëndetësi

Ballafaqimi me pandeminë dhe lufta e mantelbardhëve

Ballafaqimi me COVID-19 ka bërë që të ngriten teori të shumta konspirative ndër qytetarë, e madje edhe profesionistë të fushave mjekësore. Që nga rasti i parë i paraqitur në Kosovë në mars të këtij viti, është bërë luftë maratonike, barra e së cilës më së shumti i rëndoi mantelbardhët.

Sado që janë bërë thirrje të vazhdueshme për të pasur kujdes e për të lehtësuar ngarkesën që po i rëndon mjekët e infermierët tash e gjashtë muaj, megjithatë ende nuk ka dalë një pasqyrim i saktë i asaj me të cilën po përballen mantelbardhët tash e disa muaj.
Për të krijuar një pasqyrim të sfidës së përballjes me pandeminë COVID-19 të mjekëve, por edhe gazetarëve, flet për Gazetën Scanner gazetarja shumëvjeçare e RTK-së, Jehona Zhitia.

Zhitia raportoi pareshtur që nga fillimi i pandemisë direkt nga vendet e ngjarjes, e tëra vetëm me qëllim që qytetarëve t’ua ofronte një realitet sa më të qartë të gjendjes, derisa në gusht e mori rezultatin se edhe ajo tashmë ishte futur në statistikën e të infektuarve në Kosovë. Për më tepër, edhe këtë intervistë e ka dhënë në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe duke qëndruar në spital.

Gazeta Scanner: Ju keni raportuar direkt nga vendi i ngjarjes, deri tash, kur edhe vetë u infektuat, a mund të na tregoni se si ka qenë një ditë e juaja e zakonshme gjatë raportimit nga spitalet?

Zhitia: Që nga 8 Marsi, dita ime ka nisur dhe ka përfunduar nga Qendra Spitalore në vend. Ndonëse në fillim të pandemisë nuk kishim raste pozitive, megjithatë konsiderojë se ishte në interes të qytetarëve të dinin më shumë për virusin, kapacitetet shëndetësore në vend, përgatitjet që po bëheshin për ta menaxhuar sa më mirë situatën pandemike, etj., andaj çdo ditë kam pasqyruar prej klinikave gjendjen faktike, gjithmonë duke apleuar edhe për kujdes të shtuar dhe zbatim të rekomandimeve të nxjerra nga OBSh dhe IKSHP. 

Nga 18 marsi kam raportuar çdo ditë live 72 ditë nëpër edicionet e lajmeve të ditës dhe në edicionin qendror të lajmeve në RTK, duke sjellë gjithmonë lajmin e besueshëm dhe mirë te konfirmuar. Nga 13 marsi çdo dite është sfidë e re për gazetarët të cilët ende po vazhdojnë të kryejnë punën e tyre duke raportuar jo vetëm nga Klinikat ku pacientë të shumtë po marrin trajtim shëndetësor, por edhe nga vatrat e tjera endemike dhe familjet e tyre.
Gazetarët po kryejnë misionin e tyre fisnik duke rrezikuar edhe veten dhe familjen nga mundësia e madhe e infektimit që kanoset tashmë kudo. Asnjëherë nuk e kam menduar veten se duhet të stopohem, mos të jap lajmin, mos të rrezikoj duke hyrë brenda klinikave në zona të kontaminuara sepse mund të infektohem. Për mua, pasqyrimi i një realiteti të dhimbshëm do të thoja ka qenë dhe vazhdon prioritet i imi, edhe pas infektimit tim me sëmundjen COVID-19.
Të raportosh si gazetar nga klinikat ku ka pacientë të infektuar, dhe të jesh brenda atyre mureve ku më parë nga jashtë shihja veç drita neoni, është krejt diçka tjetër. Ka javë që unë jam përballur me sëmundjen COVID-19, e shkaktuar nga virusi SARS COV 2, dhe ajo çka po shoh në repartet e Klinikës Infektive është rrëqethëse. Dhomat e mbushura me pacientë plot të moshave të ndryshme. Dëgjon vetëm zhurmën e aparateve dhe lëvizjet e personelit mjekësor, të cilët me dhjetëra herë hyjnë e dalin nëpër dhomat e pacienteve për të monitoruar gjendjen e tyre shëndetësore

Gazeta Scanner: Ku është dallimi i të parit të ngjarjes nga lajmet, dhe nga raportimi direkt?

Zhitia: Dallimi në mes të përgatitjes së një kronike televizive apo edhe raporti të shkruar dallon nga raportimi i drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes, sidomos në kohë pandemie kur gjithçka vazhdon të jetë e re dhe e panjohur për gjithë njerëzimin, ndërkaq rreziku nga virusi është shumë i madh dhe çdo dite po kemi jetë të humbura. Kam pasur informacione të ndryshme të cilat kanë kaluar për gjithë këtë kohë nëpër mua, por asnjëherë nuk kam plasuar informacion pa e konfirmuar nga personat zyrtarë, ani pse burimet e mia ishin shumë të besueshme, por në këso rrethanash kur populli është sy e vesh për të parë se çfarë po ngjanë duhet pasur kujdes tepër të madh se çka raporton një gazetarë. 

Mua më çmend lufta por klikime, në Kosovë kushdo mund të hapë një portal dhe te plasoj çka të dojë, pa e mbajtur fare ndjenjën e përgjegjësisë morale por edhe ligjore. Kjo është e keqe, shteti duhet reagojë sa më parë që të vë një organ mbikëqyrës i cili do ta rregullojë këtë fushëveprimtari.

Gazeta Scanner:  Nga ajo që keni parë, si ka qenë dita e një mjeku/infermieri në klinikat ku trajtoheshin të infektuarit?

Zhitia: Nga ajo që kam parë jo vetëm si gazetare sa kam defiluar nëpër klinikat e QKUK-së, por edhe në rolin e pacientit, mendoj që personeli mjekësor janë duke bërë punë shumë të madhe. Ata fatkeqësisht janë të vetëm në këtë luftë më një armik të padukshëm. Ata nuk ecin korridoreve të gjatave të klinika infektive, ata vrapojnë, e vrapin e rëndojnë edhe më shumë veshjet e tyre si masë mbrojtëse nga infektimi të cilat i mbajnë për disa orë. Të bërë qull nga djersa, e cila siç thonë i ka shërbyer shumë herë edhe si ujë ngase nuk kanë pasur mundësi të ushqehen për shkak të fluksit të madh të pacientëve që janë të shtrirë nëpër klinika, e në anët tjetër janë ata që përveç anës profesionale kanë vënë në shërbim të pacientëve edhe njerëzoren. 

Kjo e dyta e gërshetuar me të parën sjell rezultat të madh. Dita e tyre nisë para orës 7 të mëngjesit, dhe nuk dihet kur përfundon. Secili mjek e infermier ka një histori në vete për të treguar se çka po përjetojnë dhe me çfarë po përballen stafi dhe pacientët në këtë betejë me virusin. Ditë të ngarkuara e net të gjata, plot ankth kanë përjetuar tash e sa muaj mantelbardhët. Alarmi nga dhomat depërton thellë në sallën e ku qëndron stafi mjekësor. Ai mund të bije nga disa dhoma përnjëherë. Ku te shkohet së pari, cilin pacientë ta takoj për ta kuptuar arsyen e thirrjes, cilit t’i jap përparësi, të gjithë janë të sëmurë, por kudo në botë kategorizohen rastet me prioritet, dhe Kosova është në këtë fazë tani. Beteja e personelit mjekësor pa vazhdon, e fatkeqësisht fundi ende nuk po i dihet.

Gazeta Scanner:  A mendoni se shteti ka bërë mjaftueshëm për personelin shëndetësor?

Zhitia: Lufta nuk bëhet pa ushtarë, stafi shëndetësor është i lodhur dhe infektimi i tyre po ndodhë çdo ditë. Ndonëse se radhët e stafit infermieror po shtohen shpesh, megjithatë ende nevojat dhe kërkesat janë shumë të mëdha. Në anën tjetër numri i vogël i mjekëve, ekspertë të fushës e rëndon edhe më shumë situatën e menaxhimit të pandemisë. Kosova me shëndetësinë e saj të brishtë ka arritur ta mbajë nën kontroll situatën pandemike nëpër klinikat e QKUK-së dhe Spitalet Rajonale, megjithatë ky zinxhir i shtrënguar fort edhe mund të shkëputet nëse nuk forcohet. 

Konsideroj se Pandemia COVID-19, ua ka hapur sytë institucioneve kosovare që shëndetësia duhet të jetë prioritet, e që fatkeqësisht asnjëherë nga paslufta nuk ishte në agjendat e politikanëve tanë të cilët ndërroheshin sa herë eteshin për pushtet

Gazeta Scanner: Këshilla juaj për qytetarët, në raport me lehtësimin e punës së mjekëve tanë, duke u kujdesur për veten.

Zhitia: Ishte rastësi transmetimi i një dokumentari për punën e gazetarëve gjatë pandemisë të cilën e kishte bërë gazetarja Teuta Përlaska, pikërisht në ditët kur po luftoja me sëmundjen dhe mesazhet qe po lexoja ishin të tmerrshme. Një përqindje relativisht jo edhe e vogël e qytetarëve të vendit tim vazhdojnë të mendojnë fatkeqësisht se virusi nuk ekziston dhe se kjo është politike. Kjo më dhemb fort. 

Kisha dhimbje edhe atë natë, derisa unë mezi ngopesha frymë qytetarët më akuzonin se i gjithë rrëfimi im është veç një trillim, kinse unë po paguhem për të bërë propagandë, etj. Kjo më krijoj shumë ankth.
Unë u zgjova nga një ëndërr e keqe, nga një ferr i cili më shoqëroi gjatë. Fatkeqësisht, përjetimet e mia i kanë pasur më qindra e mijëra. Uroj që kjo të mbyllet shpejt dhe bota t’i kthehet normalitetit. Ruajeni veten dhe të tjerët! Virusi është shumë i rrezikshëm, ai është kudo mes nesh dhe mund ta prekë secilin. 

Virusi i panjohur po merr jetë çdo ditë të shumë njerëzve përfshirë edhe miqve të mi.
Respektoni rekomandimet e institucioneve, shpëtoni jetën tuaj dhe të të tjerëve. Mos i ngarkoni më shumë mantelbardhët, jeta e tyre është në dorën tuaj dhe anasjelltas. Mos të bëhemi ne vatra e infeksionit në Evropë se Kosova është shtet i vogël, i ri dhe nuk ja del lehtë. Lutemi që mos të rriten shifrat e vdekjeve e as të të infektuarve.
Bashkë shkojmë drejt fitores.

Nga data 13 mars kur janë paraqitur edhe rastet e para me COVID-19 në Kosovë, e deri më sot janë shënuar gjithsej 15 mijë e 425 raste pozitive.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në vendin tonë deri më tani kanë vdekur 619 persona, përderisa 13 mijë e 165 janë shëruar.
Por, ende një numër i madh i rasteve mbetet aktive që është 1 mijë e 641. / Gazeta Scanner/


MË SHUME NGA Shëndetësi