Ndërmarrjet kosovare kanë pësuar keq nga kriza e COVID-19
Ndërmarrjet kosovare kanë pësuar keq nga kriza e COVID-19 dhe nuk pritet të rimëkëmben shpejtë. Ndërkohë, kompanitë vazhdojnë të ngurojnë të digjitalizojnë biznesin e tyre, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve.
Këto janë disa prej të gjeturave të një studimi që ka analizuar ndikimin e krizës nga COVID-19 në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM-të) në Kosovë, me fokus në aktivitetet për digjitalizim. Studimi është zhvilluar në kuadër të projektit ACCESS.
Pothuajse të gjitha ndërmarrjet kanë shënuar rënie të shitjeve prandaj kanë vendosur të shkurtojnë orarin e punës në mënyrë që të mund të ruajnë numrin e punëtorëve. Kjo tregon për zbatim kryesisht të strategjive mbrojtëse. Krahas shkurtimit të orarit dhe numrit të punëtorëve, shumë kompani kanë ndërprerë investimet dhe blerjet. Një numër i vogël i NVM-ve kanë (përkohësisht) mbyllur biznesin.
Në kontekstin e tanishëm të COVID-19, rreth gjysma e NVM-ve në Kosovë synojnë “të mbijetojnë” pa ndonjë strategji të qartë ndërsa një e treta kanë për qëllim të ulin kostot. Sa i përket përkrahjes institucionale, kompenzimi i pagave të punëtorëve është dëshmuar si masa më e rëndësishme. Në përgjithësi, skemat mbështetëse që mundësojnë qasjen në financa janë më të kërkuarat dhe konsiderohen si më të dobishmet nga NVM-të kosovare.
Ndërmarrjet në Kosovë ngurojnë të vazhdojnë me digjitalizimin e biznesit të tyre. Aty ku ka përpjekje për të mbështetur digjitalizimin janë lëmitë ku zbatueshmëria dhe ndikimi është i menjëhershëm për ndërmarrjet. Ndërsa pengesat e identifikuara për digjitializim mbesin kostot e larta, mungesa e shkathtësive dhe shëbimeve cilësore, dhe mbrojtja e të dhënave.
Ky studim është realizuar në format sondazhi me 408 NVM dhe është kryer në korrik të vitit 2020. Informatat e mbledhura do të shërbejnë për të dizajnuar intervenimet e projektit ACCESS si përgjigje ndaj kushteve të reja dhe sfiduese ekonomike të vitit 2020.
“Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare (ACCESS)” është projekt që financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkë-financuar nga Qeveria e Kosovës dhe implementohet nga kompania ECIKS.























