OAK kërkon ndryshime në festat zyrtare shtetërore të Kosovës
Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar me një shkresë Komisionit për Qeverisje Lokale , Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, me ҫ’rast ka kërkuar që sa më parë të bëhen ndryshime në Kalendarin e Festave Zyrtare.
Lidhur me këtë, OAK kërkon që festat zyrtare të festohen sipas datës së caktuar por në rast se festa zyrtare bie ditë pushimi (e shtunë apo e dielë) të festohet në atë ditë dhe të mos bëhet edhe një ditë shtesë siç është duke ndodhur tani.
“Arsyeja është se në këtë mënyrë Republikës së Kosovës po i shtohen edhe disa ditë me shumë në kalendarin e festave zyrtare dhe po dëmtohet puna në institucione shtetërore, publike dhe private duke u bërë automatikisht nga 1 ditë pushim sipas ligjit të festave zyrtare në 3 ditë pushim. Sipas analizës së OAK-së, rezulton se në asnjë vend tjetër europian nuk ka një praktikë të tillë për festat zyrtare”, thuhet në një postim në Facebook.
Kërkesë tjetër e OAK-së është poashtu që festat zyrtare shtetërore si: Dita e Kushtetutës së Kosovë (9 Prill) dhe Dita e Evropës (9 Maj) të shndërrohen në festa memoriale.
“ Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës duhet të festohet si festë nga mekanzimat institucional përmes aktiviteteve institucionale,, ndërsa Dita e Evropës nuk është festë zyrtare në asnjë vend Evropian dhe mund të festohet si festë nga mekanzimat institucional përmes aktiviteteve institucionale”,thuhet në postimin e Odës së Afarizmit, njofton Klankosova.
“OAK, mbetet me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë, me të ardhurat më të vogla për kokë banori dhe si shteti i vetëm i pazhvilluar në Evropë”.























