Numri i turistëve në Spanjë gjatë verës për 83 për qind më i ulët
Organizata Exceltur vlerëson se pasojat e pandemisë në turizmin spanjoll deri në fund të vitit mund të arrijnë deri në 100 miliardë euro.
Si një nga tre destinacionet turistike më tërheqëse në botë, Spanja regjistroi një rënie prej 83 për qind të numrit të turistëve për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Zyra Spanjolle e Statistikave (INE) në raportin e muajit gusht theksoi se vendi po regjistron gjithashtu një rënie prej 85 për qind të të ardhurave nga turizmi krahasuar me verën e kaluar.
Në gusht të këtij viti, Spanja u vizitua nga 2,44 milionë turistë, kurse në gusht të vitit të kaluar, ky numër ishte 10,12 milion.
Që nga fillimi i vitit, 15,7 milionë turistë kanë vizituar Spanjën, kurse në të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar ky vend u vizitua nga 58,2 milionë turistë. Të ardhurat e turizmit ranë për 73 për qind.
Organizata Exceltur, e cila bashkon punëtorët e turizmit në Spanjë, vlerëson se ndikimi i pandemisë në turizmin spanjoll mund të arrijë deri në 100 miliardë euro deri në fund të vitit.























