Krasniqi takon ambasadorin gjerman, flasin për mundësitë e investimeve
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi ka pritur në takim sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Joern Rohde me të cilin kanë biseduar për zhvillimin ekonomik, importin e produkteve gjermane, investimet dhe diasporën.
Krasniqi ka vlerësuar lart mbështetjen që shteti gjerman i ka dhënë Kosovës në periudha të ndryshme kohore nga ato më të vështirat e deri sot për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Një falënderim të veçantë e ka shteti gjerman për trajtimin që ua bënë qytetarëve të Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani”.
Ai e ka njoftuar ambasadorin se si Gjermania është në mesin e tri shteteve të para ku Kosova importon mallra nga atje.
Sa i përket nevojës për më shumë investitorë nga Gjermania, ministri i ka shpjeguar Ligjin për Investime Strategjike dhe plotësim-ndryshimet që pritet të finalizohen.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë në diskutimet për fushën e ekonomisë ka thënë se do të ishte më i kënaqur sikur edhe eksporti i produkteve nga Kosova drejt Gjermanisë të jetë më i madh.
Sa i përket remitancave nga mërgata shqiptare, që punojnë në Gjermani, ambasadori ka thënë se do të ishte mirë që ato të shndërrohen në investime.
Duke folur për ndikimin e pandemisë COVID– 19, ambasadori Rohde është interesuar për pakon e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbje ekonomike. Më tej, ai shfaqi shpresën e tij se Qeveria e Kosovës do të gjejë një kompromis me opozitën, në mënyrë që Kuvendi të mund ta miratojë draftligjin në seancën e radhës.























