Mali i zi huazon 50 mln euro për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike
BKT
Ekonomi

Mali i zi huazon 50 mln euro për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) malazeze në fushën e turizmit dhe sektorët e tjerë të prekur rëndë nga COVID-19, do të përfitojnë nga një kredi prej 50 milionë € që ka nënshkruar Banka Europiane e Investimeve (BEI) me Fondin e Investimit dhe Zhvillimit të Malit të Zi (IDF).

Kredia do të sigurojë mbështetje të menjëhershme për rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomisë malazeze, duke mundësuar financime më të përballueshme për NVM-të, ndërmarrjet me kapital mesatar dhe ndërmarrjet e sektorit publik, për të mbështetur vendet e punës dhe për të ruajtur likuiditetin e tyre. 

Kredia është pjesë e programit të rimëkëmbjes së Team Europe Western Balkans COVID-19, njoftuar në Samitin e Zagrebit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në prill. Ai siguron financa të përballueshme për bizneset, për të siguruar vazhdimësinë dhe rimëkëmbjen e shpejtë dhe të qëndrueshme nga pandemia. Ky lehtësim është gjithashtu alokimi i parë nën kredinë prej 500 milionë € të programit, miratuar nga Bordi i Drejtorëve të BEI-së në qershor 2020, që ka si pikësynim sektorin publik dhe bankat promovuese kombëtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Nënkryetari i BEI-së Dario Scannapieco, tha: “NVM-të dhe ndërmarrjet me kapital mesatar në Malin e Zi, janë goditur rëndë nga pandemia COVID-19. Duke qenë se turizmi është nxitësi kryesor i rritjes ekonomike, BEI do të ndihmojë Malin e Zi të përballet me këto sfida të reja, të mbështesë burimin kryesor të të ardhurave, të rimëkëmbet më shpejt dhe të ndërtojë një ekonomi më të qëndrueshme. Kreditë tona më të përballueshme do të mbështesin sektorë të tjerë kryesorë si tregtia, transporti dhe ndërtimi. Ne jemi krenarë që ofrojmë këtë përbërës kryesor të paketës së mbështetjes së Team Europe për Malin e Zi, si një vend kandidat për t’u përfshirë në Bashkimin Europian”. 

Zoran Vukcevic, presidenti i Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit të Malit të Zi, tha: “Banka Europiane e Investimeve edhe një herë ka treguar se është një mik i vërtetë i Malit të Zi dhe një partner strategjik i Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit, me mbështetje shtesë në periudha sfidash dhe krizash, siç po përjeton tani ekonomia malazeze dhe gjithë bota. Bashkëpunimi i Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit me Bankën Europiane të Investimeve, ka një rëndësi të madhe për IDF-në, dhe mbi të gjitha për ekonominë malazeze. Fondet e huasë në përgjigje të krizës COVID-19 do të përdoren për të ruajtur likuiditetin e ekonomisë dhe vendet e punës, por edhe për projekte zhvillimi, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një vlere të re ekonomike në Malin e Zi dhe do të mbështesin transformimin e ekonomisë sonë drejt një sistemi të qëndrueshëm në periudhën post-pandemike. Deri tani, këto fonde kanë mbështetur mbi 750 projekte që kanë krijuar dhe/ose ruajtur mbi 25 000 vende pune në Malin e Zi. Besoj se këto projekte i kanë dhënë një shtysë të veçantë zhvillimi ekonomisë malazeze dhe kanë forcuar rrugën e saj drejt integrimit europian”. 

Oana-Cristina Popa, ambasadorja e BE-së dhe shefja e delegacionit të BE-së në Mal të Zi, tha: “NVM-të janë shtylla kurrizore e ekonomisë së Malit të Zi, duke gjeneruar më shumë se tre të katërtat e punësimit dhe gati 70% të vlerës së shtuar. Edhe para se të goditeshin nga kriza e COVID-19, NVM-të u përballën me sfida të shumta si, aksesi i vështirë në financa, burokracia, infrastruktura e mangët dhe një fuqi punëtore e pamjaftueshme. BE-ja tradicionalisht ka mbështetur sektorin e NVM-ve, duke e ndihmuar atë të trajtojë këto sfida dhe të rrisë konkurrencën e ekonomisë malazeze. Në këtë kohë krize shëndetësore dhe ekonomike, ndihma e BEI-së është edhe më e vlefshme, pasi NVM-të po përpiqen të ruajnë likuiditetin dhe vendet e punës. Kombinuar me asistencën e planifikuar të delegacionit të BE-së për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla pas COVID-19, kjo marrëveshje kredie do të sigurojë një themel të konsiderueshëm për një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë malazeze”. 

Kredia e BEI-së do të jetë në dispozicion për sipërmarrësit individualë, kompanitë dhe ndërmarrjet publike që operojnë në sektorë të ndryshëm. Ky operacion synon të adresojë kapitalin e punës, nevojat për likuiditet dhe kufizimet e investimeve të NVM-ve në Mal të Zi gjatë krizës së COVID-19. Linja e kredisë do të lejojë fleksibilitetet për të përshpejtuar shpërndarjen e fondit dhe për të adresuar çështjet më urgjente të likuiditetit dhe punësimit. Ajo do të inkurajojë krijimin e mundësive të punës dhe trajnimin për të rinjtë, nën nismën Punësimi dhe Trajnimi i Rinisë Europiane për Ballkanin Perëndimor (EYET), duke nxitur punësimin e të rinjve në Malin e Zi. 

 


MË SHUME NGA Ekonomi