Sherifi: Me brende të reja në Kosovë do të hapen vende pune
Arbenita Marmullaku, Radio Kosova
Biznesmeni dhe Kordinatori i Përgjithshëm i Aleancës Kosovare të Biznesit, Naser Sherifi, i cili jeton dhe vepron në Austri, ka ndërmjetësuar që disa kompani të brendeve botërore t’i sjellë në Kosovë.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ai tha se janë vonuar për shkak të pandemisë, mirëpo shumë shpejt do ta sjellë në Kosovë brendin e veshjeve Prada dhe Paul and Shark. Sherifi, tha se me këtë do të hapin vende të reja pune, duke ndihmuar kështu ekonominë e vendit.
Radio Kosova: Zotëri Sherifi, ju jetoni dhe veproni në Austri, ku nga atje kontribuoni edhe për ekonominë e Kosovës. A mund të na njoftoni ju lutem reth veprimtarisë tuaj?
Sherifi: Unë jam i kyçur qe disa vjet në diasporë dhe qëllimi ynë është që sa më tepër të ndihmojmë ekonominë në shtetin tonë të ri. Natyrisht, që kemi edhe ne ngecjet tona gjatë pandemisë, mirëpo ne kemi edhe planet tona konkrete. Jemi duke ndërmjetësuar në disa kompani prestigjioze, që ato t’i sjellim këtu dhe të vijnë me përvojat e tyre, me kapitalet e tyre, të krijojmë edhe vende të punës edhe zhvillim ekonomik.
Radio Kosova: A keni ndonjë plan investimi në Kosovë dhe cilat janë pritshmëritë tuaja nga tregu i Kosovës?
Sherifi: “Unë përfaqësoj disa brende të njohura italiane, Prada, Polo Shark, e kompani tjera. Me përfaqësuesit e tyre kam qenë disa herë në Kosovë, kemi parë që këtu mund të punohet shumë në këtë drejtim, sepse është e ditur botërisht që shërbimet këtu janë shumë të lira, fuqia punëtore është jashtëzakonisht atraktive për investitorët tonë. Pra, unë pres që shumë shpejt këto brende botërore të jenë në Kosovë”.
Radio Kosova: A mendoni se produktet që do t’i sillni në Kosovë, duke pasur parasyshë standardin jetësor këtu, do të jenë të depërtueshme?
Sherifi: “Aty do të jetë një gamë e produkteve që do të jetë tepër atraktive, unë përmenda markat e njohura të brendeve botërore dhe ne po punojmë shumë, që në produktet tona të ketë për të gjithë diçka nga pak. Unë, sa herë që vij këtu shoh ndryshime, por edhe njerëzit këtu kanë krijuar një standard dhe besoj se do të ketë hapësirë për të gjithë”.
Radio Kosova: A keni synim vetëm tregun e Kosovës, apo synonin që përmes Kosovës të eksportoni edhe në vende të tjera?
Sherifi: “ Unë besoj shumë dhe qëllimi kryesor i joni është që nga këtu të bëjmë distribuimin e këtyre produkteve në shtetet e rajonit, sepse janë këto marka që nuk ekzistojnë në asnjë shtet të rajonit. Ne mendojmë që këtu të jetë një pikë e shpërndarjes, pasi që tani janë edhe lehtësimet infrastrukturore, rruga e kombit, porti, aeroporti, e të tjera. Do të thotë, unë mendoj se që nga këtu do të krijoj një bazë për të furnizuar të gjitha vendet e rajonit”.
Radio Kosova: Kur do të filloni saktësisht të sillni produkte të këtyre brendeve në Kosovë?
Sherifi: Kjo situatë pandemie, e cila na ka goditur të gjithëve, uroj që sa më shpejtë të tejkalohet dhe te fillojmë me hapa konkret. Natyrisht, presim edhe stabilitet institucional, sidomos të qeverisë, sepse kemi disa luhatje. Por, unë po besoj shumë, që të fillojmë sa më parë që të jetë e mundur.























