Rama-naftëtareve: Dilni nga greva të qajmë hallet

Rama-naftëtareve: Dilni nga greva të qajmë hallet

Ka vijuar në distancë komunikimi i kryeministrit Edi Rama me naftëtaret e uzinës së Ballshit, të cilat prej 14 ditësh janë ngujuar në grevë urie në kërkim të pagave të prapambetura.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë bën sërish apel që naftëtaret të heqin dorë nga ultimatumet dhe të dalin nga greva, pasi vetëm kështu mund të ulet me to për të qarë hallet, siç shprehet vetë ai, për një hall që s’e ka krijuar qeveria.

Veç të tjerash, kryeministri theksoi se qeveria është duke punuar për të gjetur investitorë seriozë që të mund të rivënë në punë rafinerinë e naftës në Ballsh.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t'ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria”, shkruan veç të tjerash kryeministri.

Kjo është e disata herë që kreu i qeverisë u drejtohet naftëtarëve të dalin nga greva e urisë si e vetmja mënyrë, sipas tij, për të diskutuar lidhur me problemin e tyre, por ka marrë çdo herë përgjigje refuzuese nga këto të fundit.

Prej rreth një muaji naftëtarët e rafinerisë kanë hyrë në grevë urie. Javën e fundit grevën e kanë vijuar gratë, ndërkohë që shumë prej tyre kanë vuajtur ndërlikime shëndetësore.

Punonjësit e rafinerisë së Ballshit kërkojnë dhjetëra paga të pashlyera dhe rinisjen e punës.


MË SHUME NGA Ekonomi