100 milionë euro për bizneset

100 milionë euro për bizneset

Në fund të tetorit, do të fillojnë katër procedura të reja në mbështetje të kompanive bullgare, njoftoi zëvendësministrja e Ekonomisë, Yana Topalova, brenda kornizave të një forumi kushtuar masave financiare në mbështetje të biznesit në kushtet e Covid-19.

Kompanitë pritet të marrin ndihmë falas në shumën 102 milionë euro sipas Programit Operacional të Inovacioneve dhe Konkurrencës. 

Kompanitë e mesme me xhiro mbi 255,000 euro do të përfitojnë nga një pjesë e kësaj ndihme, për të kapërcyer pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit. Për këto kompani do të shpërndahet një shumë totale prej 39 milionë eurosh që do të sigurojë likuiditet dhe kapital qarkullues. Kompanitë do të jenë në gjendje ta përdorin këtë financim për të mbuluar shpenzimet e tyre. 

Procedura e dytë “Përshtatja e aktiviteteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kontekstin e Covid-19” gjithashtu ka një buxhet prej pak më shumë se 39 milionë eurosh. Kjo shumë do t’u shpërndahet kompanive për riorganizimin dhe krijimin e kushteve të sigurta të punës. 

“Ne tashmë kemi nënshkruar kontratat me Ministrinë e Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Lidhjeve dhe Ministrinë e Turizmit, të cilat do të jenë përfitueset e drejtpërdrejta të ndihmës financiare falas sipas Programit Operacional për Inovacionet dhe Konkurrencën”, tha zëvendësministrja Topalova. Kontratat kanë të bëjnë me procedurat në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme që operojnë në sektorin e transportit, në shumën 15 milionë euro, si dhe me procedurat për mbështetjen e operatorëve turistikë dhe agjentëve të udhëtimit në shumën 5 milionë euro. 

Mbi 34 milionë euro mund të negociohen nën procedurën “Përmirësimi i kapacitetit të prodhimit në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme”, tha zëvendësministrja e Ekonomisë, Yana Topalova. “Me fjalë të tjera, kompanitë të cilat janë miratuar tashmë për financim, duhet të marrin para për investime në makineri dhe pajisje, në mënyrë që të rrisin kapacitetin e prodhimit”, shpjegoi Yana Topalova. 

Rishikimi i afro 27,000 propozimeve të projekteve nën procedurën për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, tashmë ka përfunduar dhe mbi 88 milionë euro do t’u paguhen më shumë se 21,000 kompanive deri në fund të javës, shtoi zëvendësministrja Topalova. Ajo gjithashtu informoi se ka filluar vlerësimi i procedurës për mbështetjen e ndërmarrjeve të mesme, që pritet të përfundojë nga mesi i nëntorit. 

Përveç skemave të granteve, masat e mbështetjes së biznesit përfshijnë mundësi për kredi të buta me mbështetjen e Bankës Bullgare të Zhvillimit. Deri tani, më shumë se 70 milionë euro janë investuar në ekonominë e Bullgarisë përmes Bankës Bullgare të Zhvillimit, si pjesë e masave antikrizë, duke përfshirë huatë për kompanitë nën “Programin për garancitë e portofolit në mbështetje të likuiditetit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, në shumën mbi 30 milionë euro. 

Yana Topalova theksoi edhe mundësitë e ofruara nga Fondi i Fondeve dhe Agjencia Bullgare e Sigurimeve të Eksportit (BAEZ), e cila u mundëson kompanive të operojnë në kushtet e pagesave të pashlyera, duke siguruar mbulim sigurimi.


MË SHUME NGA Ekonomi