Borxhi publik do t’i kthehet trajektores rënëse në 2021-tën

Borxhi publik do t’i kthehet trajektores rënëse në 2021-tën

Qeveria shqiptare synon që niveli i borxhit publik t’i rikthehet trajektores rënëse në 2021-tën, duke zbritur 78.6% të PBB-së nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë diskutimit të treguesve të borxhit publik në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, u shpreh se objektiv mbetet kthimi i borxhit në trajektoren rënëse.

“Deficiti fiskal prej 6.5% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2020-s prej 6.8% të PBB. Balanca primare edhe pse e parashikuar në vlerën -3.9% të PBB në 2021, është sërish me ulje krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fund vitit 2020. Balanca korrente (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit) që përcakton se huamarrja totale në vitin 2021 merret ekskluzivisht për financimin e investimeve publike”, tha ajo.

Sipas ministres, nëpërmjet një menaxhimi më efikas të procesit të huamarrjes, është mundësuar ulja e riskut të rifinancimit si dhe ulja e riskut të  të interesit.

Niveli aktual i borxhit të qeverisjes qendrore, sipas të dhënave të tremujorit më të fundit (shtator 2020) vlerësohet në nivelin 1.260.313 milionë lekë ose 79.7% e PBB.

“Rritja e stokut të borxhit ka ardhur kryesisht nga masat e mara në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid – 19, si dhe nga emetimi i Eurobondit në muajin qershor 2020”, u shpreh Denaj.

Në periudhën afatmesme instrumentet afatgjatë do të vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në portofol, ku borxhi i jashtëm në portofol aktualisht zë peshën prej 48.9%.
Ekspozimi ndaj riskut të kursit të këmbimit është mbajtur nën kontroll, tha Denaj, pasi stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj vazhdon të qëndrojë ndjeshëm nën kufirin strategjik dhe atë të qëndrueshmërisë së borxhit (60%).

Ndërsa portofoli i borxhit të brendshëm, vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj rreziqeve sistemike të sektorit bankar dhe ndryshimeve në politikat investuese të bankave.

Zgjerimi dhe diversifikimi i bazës së investitorëve në tregun e brendshëm është një nga objektivat e menaxhimit të borxhit publik që do të mundësojë uljen e ekspozimit të huamarrjes ndaj rreziqeve të sektorit bankar.

Në fund të vitit 2020 niveli i borxhit publik parashikohet të arrijë në 80.9 % në raport me PBB. Ndërkohë objektivi themelor për periudhën afatmesme do të jetë kthimi në një trajektore rënëse të borxhit publik duke nisur nga viti 2021.

Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2021, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet në rreth 78.6% të PBB, e pasuar kjo nga një ulje e mëtejshme gjatë vitit 2023 në 76.3% ndaj PBB, tha Denaj./ATSH


MË SHUME NGA Ekonomi