Shqipëria nga shtetet me qëndrueshmërinë më të mirë energjetike në rajon
BKT
Ekonomi

Shqipëria nga shtetet me qëndrueshmërinë më të mirë energjetike në rajon

Këshilli Botëror i Energjisë ka vlerësuar pozitivisht qëndrueshmërinë energjetike të Shqipërisë duke e renditur mes 43 nga 128 shtetet me sigurinë më të lartë në energjetikë.

Indeksi i ashtuquajtur “Trilemma”, i cili analizon qëndrueshmërinë energjetike të një shteti mbi bazën e tre elementëve kryesor: qëndrueshmërisë mjedisore, sigurisë dhe barazisë energjetike.

Ky indeks e rendit Shqipërinë mes shteteve me treguesit më të qëndrueshëm në rajon, si Sllovakia (20), Bullgaria (27) dhe Greqia (39).

Vendi ynë rezulton të ketë të dhëna më pozitive se sa Maqedonia e Veriut (46), Turqia (58), Mali i Zi (59), Serbia (60) dhe Bosnje e Hercegovina (71).

Krahasuar me një vit më parë, ky është një progres i konsiderueshëm me rritje me së paku 30 pozicione për Shqipërinë.

Formuar në vitin 1923, Këshilli Botëror i Energjisë përfaqëson pothuajse gjithë spektrin e organizatave të energjisë në botë me mbi 3 mijë organizata anëtare nga mbi 80 shtete.

Pjesë e organizatave janë organizatat joqeveritare, mjedisore, akademike dhe kompanish shtetërore apo dhe private, njofton euronews.albania.

Indeksi Trilemma përpilohet rregullisht prej vitit 2010. Ai përcjell një panoramë të gjendjes, performancës dhe balancës së resurseve energjitike të një vendi.

Pikëzimi më i lartë për Shqipërinë është për “qëndrueshmërinë mjedisore”. Vendi ynë renditet mes 10 vendeve me më shumë pikë (85.8), pas Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, duke lënë pas Francën (85.5).

Në rang botëror për qëndrueshmërinë energjetike kryeson Zvicra, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, ndërsa më në vështirësi renditen vendet afrikane.

Shqipëria aktualisht po punon për të diversifikuar burimet e energjisë. Rreth 95% të burimeve të saj energjitike vijnë nga shfrytëzimi i lumenjve.

Qeveria ka miratuar disa projekte për centrale dhe parqe fotovoltaike, të shfrytëzimit të energjisë së diellit, projekte që parashikojnë investime në Karavasta dhe Spitallë.


MË SHUME NGA Ekonomi