Mehmeti: Depozitat bankare gjatë Covid-19 u rriten në 8.6%
BKT
Ekonomi

Mehmeti: Depozitat bankare gjatë Covid-19 u rriten në 8.6%

Arbenita Marmullaku - Radio Kosova

Edhe pse ekonomia e vendit në këtë kohë pandemia po përballet me krizë të thellë, qytetarët kanë shfrytëzuar rastin të kursejnë para për ditë më të vështira. Sipas Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, depozitat bankare gjatë kohës së pandemisë kanë shënuar rritje prej 8.6%. Mbi 60% e këtyre kursimeve janë familjare.

Eksperti financiar, Flamur Keqa, thotë se rritja e kursimeve në këtë kohë është normale. Ndërsa profesori Musa Limani thotë se këto janë kursime të detyrueshme.

Guvernatori i  i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti,  ka thënë se depozitat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar , ku pjesa më e madhe  janë depozita familjare.

 “Depozitat në këtë vit shënojnë rritje prej  8.6%”

Eksperti i financave, Flamur Keqa, tha për Radio Kosovën së rritja e kursimeve të qytetarëve gjatë kësaj kohe pandemie, është dukuri normale. Ai tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe ulja e shpenzimeve ka ndikuar në  rritjen e depozitave.
cut“Dallon nga krizat e tjera ekonomike që kanë ndodhur në  botë. Së pari , kemi kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe së dyti  kemi edhe kufizim të punës së bizneseve në Kosovë. Këto kufizime kanë ndikuar që të kemi shpenzime më të vogla  nga ana e qytetarëve të Kosovës dhe kjo normalisht ka determinuar edhe shtimin e kursimeve bankare”, tha Keqa për Radio Kosovën.

E profesori i ekonomisë, Musa Limani, konsideron se rritja e  kursimeve bankare në këtë kohë është e palogjikshme. Mirëpo, ai i tha Radio Kosovës se këto kursime mund të jenë të ”dhunshme”  në mënyrë që qytetarët të kenë siguri në këto kohë të vështira.

“Tash po ballafaqohemi me një krizë shumë të thellë ekonomike ku ka ardhur deri të largimi i një numri shumë të madh të punëtorëve dhe normalisht që fuqia blerëse bie. Prandaj, unë mendoj se arsyeja pse janë rritur kursimet është kjo, ose  nëse kanë burime nga jashtë, remitenca, atëherë normalisht që ato para mund të jenë mjete të cilat qytetarët i orientojnë në depozita. Mund të jetë një lloj kursimi i dhunshëm për ditë më të vështira që të kenë siguri më të madhe financiare”, tha ai për Radio Kosovën.

Profesori Limani ka porositur BQK që të rrisë normat e interesit për depozita, ndërsa të ulë kamatat për kredi. Sipas BQK-së, përveç rritjes së depozitave kemi rritje edhe të remitencave për 10%  si dhe rritje të investimeve të huaja direkte në sektorin e shërbimeve financiare. Ndryshe sektori bankar gjatë kësaj kohe, sipas BQK-së, është më stabil se kurrë.


MË SHUME NGA Ekonomi