Historia e Bankës së Napolit Shqipëri

Historia e Bankës së Napolit Shqipëri

Në nëntor 1937, përurohet krijimi i filialit të Bankës së Napolit (Banco di Napoli) në Tiranë. Kjo bankë e krijuar në vitin 1539 me qendër në Napoli, ishte shtrirë në qytete të ndryshme të Italisë dhe jashtë saj. Pas Tiranës, Banka e Napolit Shqipëri vijoi me hapjen e degëve edhe në qytete të tjera: Durrës, Shkodër dhe Korçë.

Dega e hapur në Shqipëri, do të kishte autonomi, statut dhe bilanc të veçantë dhe do të emërtohej Banco di Napoli Albania. Kapitali i saj fillestar do të ishte 1 milion franga ar.

Banka e Napolit Shqipëri hyri menjëherë në lidhje me shoqëri e ndërmarrje shqiptare dhe të huaja, duke u krijuar atyre lehtësi për të hyrë në marrëdhënie bankare, pa formalitete të shumta. Veçanërisht konkurroi me kushtet lehtësuese për tërheqjen e depozitave, kredidhënien, shitblerjen e valutave etj. Që me krijimin e saj, Banka e Napolit qe tepër aktive në tregun shqiptar të kreditit dhe thithi Bankën Bujqësore të Shtetit, duke fituar monopolin e kreditit bujqësor. Nga 15 maji 1939, ajo vepronte në Shqipëri me dy seksione: Seksioni i Kreditit dhe Seksioni i Kreditit Bujqësor.