Hoti: Kosova në janar fillon bisedat për Kartonin e Gjelbër
BKT
Ekonomi

Hoti: Kosova në janar fillon bisedat për Kartonin e Gjelbër

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, sot gjatë një takimi kanë biseduar për bashkëpunimin për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar, të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.

"Bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami vizituam sot Bankën Qendrore të Kosovës, ku morëm informata premtuese për stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vend. Qeveria me Bankën Qendrore të Kosovës duhet të kenë bashkëpunimin të ngushtë në zbatimin e masave të reja për rimëkëmbjen ekonomike nga janari i vitit të ardhshëm. Është më së e qartë që ne do të përballemi me këtë pandemi përtej dhjetorit të këtij viti. Deri në fund të dhjetorit ne praktikisht e mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5 për qind të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike prej 365 milionë eurove. Me buxhet, është paraparë vazhdimësia e këtij fondi për vitin e ardhshëm në shumën prej 182 milionë euro si ndihmë për bizneset dhe për qytetarët.Biseduam edhe për ndihmën për Fondin për Garanci Kreditore dhe bashkëpunimin për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar, të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër", tha ai.

Mazreku: Është lajm i mirë që procesi për Kartonin e Gjelbër do të fillojë në janar

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve z.Sami Mazreku, ka mirëpritur lajmin se Kosova do të fillojë bisedat për kartonin e Gjelbër.

"Ne si industri edhe më herët kemi kërkuar që të shikohen mundësitë për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar, të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër. Ne përshëndesim këtë hap të institucioneve të Kosovës, në këtë rast të qeverisë së Kosovës dhe BQK-së", tha Mazreku.

Ndryshe Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).


MË SHUME NGA Ekonomi