Pandemia dhe tërmeti ka çuar 22 bashki në vështirësi financiare

Pandemia dhe tërmeti ka çuar 22 bashki në vështirësi financiare

Pushteti vendor po përballet me sfida të vërteta financiare.

Pandemia por edhe tërmeti duket se kanë thelluar krizën financiare  duke bërë që 22 bashki të kenë një performancë negative midis tyre 9 janë në vështirësi financiare dhe Kavaja në prag falimenti me një stok detyrimesh që e kalon 85%  të nivelit të shpenzimeve të miratuara.

Kreu i shoqatës së  bashkive Agron Haxhimali shprehet se  gjatë muajve të fundit gjendja financiare është rënduar shumë.

“Kemi 112 bashki që janë me problem financiare, janë 9 bashki që kanë vërtet probleme serioze financiare, dhe një bashki që është në kushtet e pamundësisë për të realizuar aktivitetin e saj. Sot në këtë moment nuk kemi një pushtet vendor të të shendetshëm nga ana buxhetore”, është shprehur ai.

Në total  borxhi vlerësohet të ketë arritur në 8.5 mld lekë  ose  68,5 mln euro  të krijuara këto kryesisht  si pasojë e kryerjes së investimeve pa bërë pagesat.

“I formuar kryesisht nga katër komponentë, e që zë vendin diku te 50-52 % janë investimet të kryera në infrastrukturë por që nuk janë likuiduar, e dyta është blerja e mallrave dhe e shërbimeve nga bashkitë, diku te 14-15% janë detyrimet e largimeve të tyre nga puna”.

Haxhimali i sugjeron bashkive që të marrin masa urgjente për të përmirësuar gjendjen e tyre financiare pasi edhe buxheti i shtetit nuk është në gjendje ti ndihmojë

“Të merren masa urgjente të ulen shpenzimet dhe koston administrative. Nuk duhet të thellojnë borxhin aktual”, ka thënë Haxhimali.

Bashkitë që  kanë një stok më të ulët detyrimesh janë bashkitë Korçë,Fier,Elbasan,Durrës,Tiranë dhe Shkodër./abcnews.al