Tiranë: Mbyllen 4900 biznese

Tiranë: Mbyllen 4900 biznese

Nga 1 maji deri më 31 tetor, mbi 4900 biznese të vogla u mbyllën në vendin tonë ose 34% më shumë se sa një vit më parë.

Bizneset më të goditura nga kriza e shkaktuar nga pandemia janë në Vlorë dhe Shkodër.

Në Tiranë , kaluan në status pasiv gati 1600 subjekte për periudhën maj-tetor, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 32% e bizneseve të mbyllura ishin në Tiranë, njofton euronews.albania.

Në Durrës, i cili përveç pandemisë është goditur dhe nga tërmeti, numri i subjekteve të mbyllura u rrit me 24%, duke arritur në rreth 680.

Në Vlorë, mbylljet e subjekteve u dyfishuan, duke i kaluar 520 biznese, ndërsa në Shkodër, janë 414 subjekte të kaluara në status pasiv, ose 65% më shumë se një vit më parë.

Rritje e lartë e bizneseve të mbyllura është konstatuar dhe në Korçë (+58%), Sarandë (+54%), Kukës (+49%), Elbasan (+41%).

Dibra është i vetmi rajon që ka parë një rënie të numrit të bizneseve të mbyllura me 20% për periudhën në fjalë .

Mbylljet e aktivitetit u argumentuan nga bizneset, siç raporton dhe “Monitor”, për shkak të rënies së xhiros nga COVID-19, detyrimeve fiskale, gjobat, anulim kontratash etj. Nga të intervistuarit, raportuan mbyllje të aktivitetit si biznese të hapura para 25 vitesh, edhe ato me një aktivitet disamujor apo mbi një vit.

Për shkak të pandemisë, shumica e tyre japin arsye të falimentimit rënien e lartë të xhiros, fuqisë blerëse dhe marrjes së borxheve për të përballuar detyrimet.