Licencimi i hidrocentraleve për “Kelkos”, Komisioni Hetimor mblidhet sërish

Licencimi i hidrocentraleve për “Kelkos”, Komisioni Hetimor mblidhet sërish

Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës do të mblidhet sot.

Anëtarët e këtij komisioni do të intervistojnë dëshmitarët lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”.

Në këtë komision i cili do të mblidhet në ora 12:00, fillimisht do të intervistohet drejtori i Departamentit të Ujërave, Muhamet Malësiu dhe po ashtu do të intervistohet edhe drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha.

Në orën 14:00 do të nis edhe intervistimi i të parit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Kujtojmë që javën që lamë pas ky komision ka intervistuar edhe ministrin e Ministrisë së Ambientit, Blerim Kuçi dhe kryesuesin e Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova të cilët kanë arsyetuar lëshimin e licencave të operimit afatgjatë kompanisë “Kelkos Energy” për hidrocentralet “Belaja” dhe Deçani”.

Madhe Kuçi para deputetëve deklaroi se nuk ka qenë i involvuar në këtë proces dhe që sipas tij nuk ka asnjë indikacion se me dhënien e kësaj leje është shkelur ligji.

E Janova deklaroi atë ditë gjatë intervistimit se kanë qenë të obliguar për t’ia dhënë licencën kompanisë “Kelkos”, meqë siç tha ai, sipas dokumentacioneve kjo kompani ka plotësuar gjitha kriteret.