Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë Kosovën

Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë Kosovën

Lajm i shkëlqyeshëm për arsimin dhe hulumtimin shkencor në Kosovë! .

Rrjeti Kombëtar i Kosovës për Hulumtim dhe Edukim sapo është pranuar si anëtar i asociuar në rrjetin evropian GÉANT, një nga rrjetet më të mëdha dhe më të avansuara hulumtuese dhe arsimore në botë që lidh më shumë se 50 milionë përdorues në 10,000 institucione në Evropë dhe që përkrah të gjitha disiplinat shkencore. Kërkesa nga Kosova është pranuar nga Asambleja e Përgjithshme e GÉANT me shumicë votash.

Tash hulumtuesit shkencorë, studentët dhe stafi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë mund të kenë qasje shumë të besueshme dhe të pakufizuar në llogaritje kompjuterike, analiza, arkivim elektronik, aplikacione dhe burime tjera. 


Ngritja dhe zhvillimi i Rrjetit Kombëtar të Kosovës për Hulumtim dhe Edukim dhe ndërlidhja e tij me GÉANT janë pjesë e Projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, të financuar nga Banka Botërore dhe të zbatuar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës.

"Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në forcimin e arsimit dhe infrastrukturës digjitale, që janë kritike për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës meqenëse ndihmojnë në thellimin e lidhjeve me ekonominë botërore”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë.


“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përfshirë mua si ministër, është tejet e kënaqur që tashmë jemi pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, që padyshim do të ndikojë edhe në avancimin e qasjes së studentëve tanë në tema shkencore dhe bashkërëndim me botën perëndimore”, ka deklaruar ndërkaq ministri Blerim Kuçi.