Reforma e tregut të energjisë elektrike është në rrugë të mbarë

Reforma e tregut të energjisë elektrike është në rrugë të mbarë

Reforma e tregut të energjisë elektrike është në rrugë të mbarë, por përparimi këtë vit ka qenë i ngadaltë me arritje të kufizuara në drejtim të zbatimit të legjislacionit europian”.

Konstatimi i përket raportit vjetor të implementimit të reformave, të publikuar së fundmi nga Komuniteti i Energjisë. Raporti rendit disa nga reformat që arritën të ndërmerren gjatë këtij viti, teksa thekson se Operatori i Sistemit të Transmetimit u certifikua dhe më në fund plotëson kushtet e pavarësisë të kërkuara në Opinionin e Sekretarit.

Gjithashtu,  raporti përmend ndarjen ligjore të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, në 3 kompani, ndërkohë që bën me dije se do të verifikojë ndarjen funksionale, që aktualisht po aplikohet. Ndërkaq, progresi më i dukshëm u bë në procesin e krijimit të tregut të organizuar të energjisë elektrike apo thënë ndryshe ngritjes së bursës së energjisë. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë sjell në vëmendje përzgjedhjen e aksionerëve të bursës dhe regjistrimin e ALPEX në tetor të këtij viti, teksa nënvizon se funksionimi i saj parashikohet në gjysmën e parë të vitit 2021.

Ndërkaq, të tjera të dhëna për sektorin e energjisë ne vend vijnë edhe instituti Europian i statistikave, i cili pak ditë më parë vlerësoi se familjet shqiptare e paguajnë energjinë më shtrenjtë se vendet e rajonit.  Në vlerësimin e Eurostat nuk përfshihen taksat që paguhen së bashku me faturën e energjisë, ndërkohë që në të njëjtën situatë janë edhe bizneset që gjithashtu, sipas raportit e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, në raport me vendet e rajonit. Në fakt, ky është një shqetësim i shprehur shpesh herë nga bizneset, të cilët kanë theksuar se kjo i bën më pak konkurrues, se vendet e rajonit.


MË SHUME NGA Ekonomi